Paolo Maldini dhe Zvonimir Boban janë drejt largimit nga Milani. Fondi Elliot i beson Ivan Gazidis, i cili mban rolin e shefit ekzekutiv të kuqezinjve. Ky i fundit insiston për t’i besuar pankinën gjermanit Rangnick, ide që nuk aprovohet nga dyshja Maldini-Boban. Largimi i tyre pritet të sjellë një efekt domino edhe për Zlatan Ibrahimovic dhe Gigio Donnarumma.
Sulmuesi suedez u bind nga dy drejtuesit (po insistojnë për t’i ofruar rinovimin) për t’u rikthyer te Milani dhe largimi i tyre mund të ndikojë që bomberi të mos rinovojë. Te Milani janë të gjithë të kënaqur me rendimentin e 38-vjeçarit, por ardhja e mundshme e Ralf Rangnick në stol mund të komplikojë planet. Ibra dhe Donnarumma kanë të njëjtin agjent.
Mino Raiola nuk ka marrëdhënie të mira me presidencën e kuqezinjve dhe Gazidis, teksa nuk i ka kursyer kritikat e tij në lidhje me menaxhimin që po i bëhet klubit. Donnarummës i përfundon kontrata në fund të sezonit të ardhshëm me Milanin dhe Raiola pritet të refuzojë çdo ofertë rinovimi, gjithmonë nëse Maldini-Boban largohen dhe Ibrahimovic i ndjek nga pas. /abcnews.al