Autoritetet malajziane arrestuan një 36-vjeçar të armatosur në një hotel në kryeqytetin Kuala Lumpur, tha shefi i policisë së vendit të Azisë Juglindore, duke shtuar se ka dyshime se ai është një spiun izraelit.
Burri, i cili u zbulua se kishte gjashtë armë dhe 200 fishekë, mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuala Lumpur nga Emiratet e Bashkuara Arabe më 12 mars duke përdorur një pasaportë franceze që autoritetet besojnë se mund të jetë e rreme, shpjegoi Inspektori i Përgjithshëm i Policisë Hussain Razaruddin.
Ai u dorëzoi autoriteteve një pasaportë izraelite gjatë marrjes në pyetje, shtoi Razaruddin. Ai tha gjithashtu se policia po përpiqej të konstatonte nëse i arrestuari i përkiste spiunazhit izraelit. Burri u tha autoriteteve se shkoi në Malajzi për të ndjekur një shtetas tjetër izraelit për shkak të një mosmarrëveshjeje familjare.
“Ne nuk e besojmë plotësisht këtë tregim, dyshojmë se ai mund të ketë pasur qëllime të tjera”, theksoi Razaruddin, duke theksuar se i arrestuari ndërroi hotel disa herë gjatë qëndrimit të tij në Malajzi. Policia po hetonte gjithashtu se si i dyshuari i kishte marrë armët, të cilat ishin blerë në Malajzi me kriptomonedhë./abcnews.al