Po vijon normalisht e pa probleme procesi zgjedhor në komunën e Tuzit në Mal të Zi. Kutitë e votimit janë hapur në orën 7 të mëngjesit e do mbyllen në orën 20.00 për 11.904 zgjedhës të regjistruar. Deri në orën 14.00, sipas komisionit shtetëror të zgjedhjeve, pjesëmarrja ishte 37.7%.
Tre partitë kryesore shqiptare, Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar, janë bashkuar në një listë të vetme nën moton “Malësia na bashkon”. Përvec koalicionit “Alternativa Shqiptare”, në garë për 32 vendet e këshillit komunual të Tuzit, nga ku do dalë edhe kryetari i komunës, janë edhe 5 subjekte të tjera politike vendase. Nikë Gjeloshaj është kandidati i përbashkët i koalicionit shqiptar për kryetar të komunës Tuz.
Gara më e fortë sipas sondazheve do zhvillohet mes koalicionit të partive shqiptare dhe Partisë Demokratike Socialiste të presidentit malazez Milo Gjukanoviç. Treva e Malësisë së Madhe me shumivë shqiptare, Tuzi, u shpall komunë shtatorin e kaluar, pas përpjekjeve prej mbi 3 dekadash të partive shqiptare, për t’u shkëputur nga administrimi si pjesë e Podgoricës dhe ka 40 fshatra. /abcnews.al