Nisja e reshjeve të shiut në një pjesë të mirë të territorit të vendit është shoqëruar me përmbytje po edhe me aksidente. Për shkak të lagështirës në rrugë, disa aksidente të ndryshme kanë ndodhur në qytete të ndryshme të vendit.
Në Elbasan, mëngjesin e sotëm kanë ndodhur tre aksidente, ndërsa nuk kanë munguar raste të tjera në Lushnje dhe në Durrës.
Elbasani
Në Elbasan janë regjistruar tre aksidente, dhe shkak kanë pasur kushtet e lagështirës në rrugë. Në aksin nacional Elbasan-Librazhd, në fshatin Mirakë tre automjete janë përplasur mes tyre. Për pasojë të plagosur mbetën dy persona nga mjete të ndryshme, të cilët u dërguan me urgjencë në spital ku nodhen jashtë rrezikut për jetën.
Një tjetër aksident ndodhi në fshatin Vidhas në aksin rrugor Elbasan-Peqin, ku një automjet doli nga rruga e përfundoi përmbys në një kanal. Për fat të mirë nuk pati dëme në njerëz.
Edhe një tjetër aksident ndodhi në hyrje të autostradës Elbasan-Tiranë, ku një automjet doli nga rruga duke përfunduar përmbys anash saj. Sërish nuk pati të lënduar.
Lushnje
Në Lushnje një mjet i rëndë i firmës që po punon për rikonstruksionin e ujësjellësit të qytetit është përfshirë në një aksident. Shkak për aksidentin është bërë një problem teknik dhe territori i pjerrët. Mjeti transportues ka këputur dy shtylla të tensionit të lartë.
Në momentin që ishte duke zbritur, ky automjet ka dëmtuar mjetet e tjera në afërsi dhe shtyllat. Për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar.
Durrës
Një aksident ndodhi edhe në autostradën Tiranë-Durrës, ku një fugon i Policisë Bashkiake është përmbysur. Burime për ABC Neës bëjnë me dije se në këtë aksident është lënduar një person por pa rrezik për jetën. Shkak dyshohet të ketë qenë lagështira në rrugë.
/abcnews.al/