Majtisti Lula da Silva fiton ndaj presidentit Jair Bolsonaro të së djathtës së skajshme në Brazil

schedule07:29 - 31 Tetor, 2022

schedule 07:29 - 31 Tetor, 2022

Majtisti Luis Inacio Lula da Silva fitoi të dielën ndaj presidentit Jair Bolsonaro në raundin e dytë të zgjedhjeve që shënojnë një rikthim spektakolar për zotin Lula dhe fundin e qeverisë më të djathtë të Brazilit në dekada.

Zoti Lula fitoi 50.9% të votave krahasuar me 49.1% për presidentin Bolsonaro, tha Gjykata e Lartë Zgjedhore, duke shpallur ish-presidentin Lula fitues. Inaugurimi i 77-vjeçarit Lula do të bëhet më 1 janar.

Rezultati i votimeve ishte një kritikë për populizmin e zjarrtë të së djathtës së skajshme të zotit Bolsonaro. 67 vjeçari Bolsonaro, i cili prej vitesh ka bërë pretendime të pabaza se sistemi i votimit në Brazil është i ekspozuar ndaj manipulimeve, nuk është shprehur për rezultatin.

Burimet i thanë agjencisë Reuters se autoritetet zgjedhore po përgatiten që ai ta kundërshtojë rezultatin, dhe po marrin masa sigurie në rast se mbështetësit e tij do të organizojnë protesta.

“Demokraci,” shkroi zoti Lula në Twitter.

Ai u përshëndet nga përkrahësit e entusiazmuar në një tubim në Sao Paulo përpara se të mbante një fjalim.

Udhëheqësit duke filluar nga Presidenti amerikan Joe Biden, Emmanuel Macron i Francës dhe Alberto Fernandez i Argjentinës i dërguan zotit Lula mesazhe urimi.

Presidenti i ardhshëm është zotuar për një rikthim të rritjes ekonomike nën drejtimin e shtetit dhe politika sociale që ndihmuan në nxjerrjen e miliona njerëzve nga varfëria kur ai ishte president nga viti 2003 në 2010. Ai gjithashtu premton të luftojë shkatërrimin e pyjeve tropikale të Amazonës dhe ta bëjnë Brazilin një udhëheqës në bisedimet globale për klimën.

Një ish-udhëheqës sindikatash i lindur në varfëri, zoti Lula organizoi greva kundër qeverisë ushtarake të Brazilit në vitet 1970. Presidenca e tij me dy mandate u sshoqërua nga një bum ekonomik dhe ai u largua nga posti me një popullaritet rekord.

Megjithatë, Partia e tij e Punëtorëve vuajti më pas pasojat e një recesioni të thellë dhe një skandal korrupsioni për shkak të të cilit ai u burgos për 19 muaj nën akuzat për ryshfet, të cilat u rrëzuan nga Gjykata e Lartë vitin e kaluar.

Në mandatin e tij të tretë, Lula do të përballet me një ekonomi të ngadalësuar, kufizime më të forta buxhetore dhe një legjislaturë më të ashpër. Aleatët e zotit Bolsonaro formojnë bllokun më të madh në Kongres pasi zgjedhjet e përgjithshme të këtij muaji nxorrën në pah forcën e qëndrueshme të koalicionit të tij konservator.

Presidenti Bolsonaro ka bërë vazhdimisht pretendime të pabaza për mashtrime zgjedhore dhe vitin e kaluar është shprehur hapur se do të refuzojë rezultatet e votimit. /VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!