Mafia italiane “biznes i rrezikshëm”, gjyqi masiv që hedh dritë në të kaluarën

schedule14:25 - 16 Korrik, 2021

schedule 14:25 - 16 Korrik, 2021

Nicola Gratteri e njihte shumë mirë mafian italiane dhe ishte i sigurt se si do të vepronte ndërsa hyri në sallën e gjyqit – në gjyqin kundër sindikatës më të fuqishme të krimit. Me 30 vite përvojë pune, prokurori ka kaluar gjysmën e jetës së tij nën një urdhër mbrojtjeje.

Në vitin 2005 u zbulua një arsenal armësh, përfshirë raketahedhëse dhe një kalashnikov, me të cilat besohej se do të organizohej një atentat kundër tij. Përpara seancës së tij të fundit, në një përpjekje për t’i dhënë një goditje të madhe klanit të fuqishëm Ndrangheta, mafiozët tashmë e kishin përshkruar atë si ‘è un morto che cammina’ – një i vdekur që ecte, raporton abcnews.al

Gjyqi masiv i 355 mafiozëve të dyshuar dhe bashkëpunëtorëve të tyre është një moment kyç në historinë moderne të Italisë. Para luftës së Gratterit me Ndrangheta, çështja iu ngarkua Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, ndoshta më të famshmit nga gjyqtarët e anti-mafias në gjyqin më të madh penal në historinë moderne.

Falcone dhe Borsellino ishin gjyqtarët më të famshëm  kundër mafies siciliane.  I quajtur “Maxi Trial”, dy vitet e seancave dëgjimore u zhvilluan në një bunker të ndërtuar në vitet 1980.

Vetëm në orët e para të një mëngjesi në shkurt, 100 burra u larguan nga burgu L’Ucciardone i Palermos përmes një serie tunelesh dhe u dërguan në gjykatën e sigurisë së lartë të ndërtuar në tokë. Objekti  kishte  30 dhoma ku ata vëzhgonin gjyqin, ndërsa më shumë se 3,000 policë ishin në mbrojtje të vendit.

Alfonso Giordano, një nga gjykatësit që drejtonte seancën u vra gjatë procesit. Falcone dhe Borsellino dënuan me 2,665 vite burg mafiozët, një shifër që nuk përfshinte 19 dënime me burg të  përjetshëm për figura të larta të mafias.

338 anëtarë të mafias dhe bashkëpunëtorët e tyre u arrestuan në luftën e rrallë kundër grupeve të krimit të organizuar që kishin arritur të zinin rrënjë nëpër institucione. Edhe Salvatore Riina u dënua me burgim të përjetshëm në mungesë.

Gjithashtu, gazetarët, zyrtarët dhe policia ishin në shënjestër të mafias pasi kishin hetuar rreth Cosa Nostra. Pasi përpjekjet për të apeluar akuzat e panumërta kundër tyre dështuan në 1992, të dy Falcone dhe Borsellino u vranë me urdhër të Riina – i cili vazhdoi t’i shmangej arrestimit deri një vit më vonë.

Falcone, 53 vjeç  u vra me gruan e tij dhe tre oficerë policie pas shpërthimi të një bombe në Capaci në 23 maj. Borsellino, 52 vjeç, u vra së bashku me 5 oficerë në Palermo pas shpërthimit të një bombe në Via D’Amelio dy muaj më vonë, raporton abcnews.al

Edhe pas hekurave Riina vazhdoi të komplotonte kundër atyre që kërcënonin fuqinë e tyre. Gjatë dekadës së fundit prokurori Antonio Di Matteo u bë njeriu me kërcënimet më të shumta në vend kur ai pretendoi se shteti dhe mafia kishin negociuar për t’i dhënë fund një fushate tre vjeçare vrasjesh dhe bombardimesh në fillim të viteve ’90 që përfshiu vdekjet e dy gjyqtarëve të “ Maxi Trial”.

Në vitin 2013 shefi i mafies u arrestua kur po urdhëronte vrasjen e gjyqtarit. “Nëse ne do të duam,  do e vrasim atë. Do të jetë i njëjti  ekzekutim si ai në Palermo.”

Ndërsa sot Gratteri po përballet me veprimtari kriminale të ndryshme nga ato me të cilat janë përballuar paraardhësit e tij, në një rajon tjetër, kërcënimi mbetet i njëjtë.

“Tani jam më i kujdesshëm se zakonisht,” tha ai. ”Unë nuk ec 10 metra në këmbë pa makinën time të blinduar. Unë nuk kam qenë kurrë në një restorant për më shumë se 20 vite dhe nuk kam shkuar në kinema për më shumë se 30 vite. Ha në zyrë dhe shtëpia ime është si një bunker. Gjithashtu kam një ekip truprojash që më ruajnë”.

“Unë jam trajnuar të përballoj frikën”, shtoi ai.

“Ju mund të ndjeni që vdekja është kaq pranë jush por duhet të përballeni më këtë ndjesi në të kundërt nuk do ta bëni dot këtë punë për vite me radhë.”

Përktheu Sonila Backa-abcnews.al