Maduro: SHBA-të duan luftë në Amerikën e Jugut

schedule23:45 - 26 Shkurt, 2019

schedule 23:45 - 26 Shkurt, 2019

Në një intervistë të dhënë pas shumë vitesh për një media amerikane, presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se duan të fusin në kaos Amerikën e Jugut. Sipas Maduros, Uashingtoni kërkon të marrë nën kontroll naftën e Venezuelës dhe për këtë është gati të hyjë në luftë.

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro ka akuzuar sërish qeverinë e Shteteve të Bashkuara se po përpiqet të sajojë një krizë në mënyrë që të nisë një luftë në Amerikën e Jugut. Deklaratën e tij Maduro e ka bërë në një intervistë për rrjetin informativ ABC News, e para për një televizion amerikan ndër vite.

“Çdo gjë që qeveria i Shteteve të Bashkuara ka bërë ka qenë e destinuar të dështojë. Tani ata po përpiqen të fabrikojnë një krizë për të justifikuar përshkallëzimin politik dhe ndërhyrjen ushtarake në Venezuelë, për të nisur një luftë në Amerikën e Jugut”, ka deklaruar Maduro. Ditën e hënë zëvendës presidenti amerikan Mike Pence udhëtoi në Kolumbi ku përmes një mesazhi shprehu mbështetjen për liderin e opozitës së Venezuelës, Huan Guaido.

“Jemi 100 për qind me ju”, tha Pence, i cili njoftoi gjithashtu se Uashingtoni do t’i japë 56 milionë dollarë ndihma qytetarëve venezuelianë dhe do të vendosë sanksione më të ashpra ndaj regjimit të korruptuar të Maduros.

Për Maduro, takimi i mbajtur në Bogota ishte pjesë e politikës amerikane për të krijuar një qeveri paralele në Venezuelë. Presidenti ka theksuar se amerikanët duan të marrin nën kontroll naftën e Venezuelës dhe për këtë janë gati të hyjnë në luftë.

“Qeveria ekstremiste e Donald Trump do luftë dhe jo vetëm për naftën”, ka vijuar Maduro, duke e cilësuar Venezuelën një vend paqësor. I pyetur nëse ka një mesazh për Trump, Maduro ka shtuar se, ai duhet të riparojë politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës.

“Venezuela gëzon të drejtën e paqes dhe institucioneve legjitime. Unë, si president i saj, jam i përgatitur për të zhvilluar dialog me qeverinë tuaj. Ne jemi amerikano-jugorë, ju jeni amerikano-veriorë. Në shekullin e 21-të duhen gjetur zgjidhje të reja dhe jo zgjidhje të Luftës së Ftohtë”, i ka thënë Maduro gazetarit të ABC News./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!