Macron, thirrje poltikanëve të moderuar të mobilizohen për të fituar ndaj së djathtës ekstreme

schedule18:41 - 12 Qershor, 2024

schedule 18:41 - 12 Qershor, 2024

Presidenti francez Emmanuel Macron u bëri thirrje të mërkurën politikanëve të moderuar si nga e majta edhe nga e djathta që të mobilizohen për të mundur të djathtën e skajshme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që ai i shpalli pas humbjes së thellë të partisë së tij në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Zoti Macron iu drejtua votuesve francezë për herë të parë që nga vendimi i tij i befasishëm të dielën për të shpërndarë Asamblenë Kombëtare.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen me dy raunde më 30 qershor dhe 7 korrik, tre javë pasi partia Bashkimi Kombëtar ku bën pjesë politikania e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen triumfoi në zgjedhjet për Parlamentin e Bashkimit Evropian.

Në një konferencë për shtyp të mërkurën, Presidenti Macron tha se vendosi ta ndërmerrte vendimin që mbart rrezik politik, sepse nuk mund ta injorojë realitetin e ri politik, pasi partia e tij pro-evropiane pësoi disfatë të thellë dhe fitoi më pak se gjysmën e mbështetjes së Bashkimit Kombëtar që udhëhiqet nga Jordan Bardella.

Ndryshe nga fjalimet e tij të fundit para kombit, në të cilat zoti Macron është përqendruar tek lufta e Rusisë ndaj Ukrainës dhe tek nevoja për politika të përbashkëta evropiane të mbrojtjes, të pavarura nga Shtetet e Bashkuara, presidenti francez iu përqendrua të mërkurën tek çështjet e brendshme, që kanë qenë në qendër të së djathtës së skajshme, si frenimi i emigracionit, si dhe lufta kundër krimit dhe separatizmit islamik në Francë.

Zoti Macron, të cilit i kanë mbetur tre vjet nga mandati i tij i dytë presidencial, shpreson që votuesit të bashkohen për të frenuar të djathtën ekstreme në zgjedhjet kombëtare, ndryshe nga ç’ndodhi me ato evropiane./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!