Presidenti francez kërkon reformim rrënjësor të hapësirës Shengen. Gjatë një konference në pallatin presidencial, Emmanuel Macron kritikoi ashpër mënyrën e funksionimit të hapësirës së lëvizjes së lirë në Bashkimin Europian, ndërsa shpalosi edhe propozimet e tij.
“Marrëveshja e famshme e Shengenit nuk funksionon më. Eruopa, në të cilën unë besoj, i mbron kufijtë e saj, ka një të drejtë më të arsyeshme për dhënien e statusit të refugjatit dhe përgjegjshmëria shoqëron solidaritetin”, ka deklaruar Macron.
Shefi i Elizesë e konsideron të mundshëm një Bashkim Europian me kontrolle të brendshme kufitare, ose një hapësirë të lëvizjes së lirë me më pak vende dhe me rregulla më të forta hyrjeje.
“Marrëveshjet e kufijve të përbashkëta, Shengen dhe Traktati i Dublinit nuk funksionojnë më“, tha Macron, duke shtuar se është thelbësore që Evropa të bëjë ndryshime “të thella” në mënyrën e trajtimit të emigrantëve.
Problemet me lëvizjen e lirë lindën pas dyndjes masive të refugjatëve dhe emigrantëve në vitin 2015, si pasojë e trazirave në vendet e Afrikës Veriore e Lindjes së Mesme. Disa vende europiane rivendosën kontrollet kufitare mes tyre për të penguar hyrjen kaotike të refugjatëve, duke e nxjerrë përkohësisht jashtë funksionit marrëveshjen e 1985-s.
Disa vende anëtare të BE-së mbështesin rishikimin e dy traktateve, atë të Shengenit për lëvizjen e lirë dhe atë të Dublinit për mënyrën e shpërndarjes së refugjatëve brenda unionit.
Mbetet për tu parë nëse këto deklarata, janë sinjale negative që vijnë nga vendet e Unionit, për çeljen e negociatave me BE-në, të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, këtë Qershor./abcnews.al