Macron në Uashington, presion Trump për marrëveshjen me Iranin?

schedule08:45 - 24 Prill, 2018

schedule 08:45 - 24 Prill, 2018

Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbërritur të hënën në Uashington për një vizitë zyrtare, në fokus të të cilës pritet të jetë marrëveshja bërthamore me Iranin.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, liderët europianë duan që marrëveshja të mbetet në fuqi dhe i kanë kërkuar Macron që t’i mëshojë këtij opsioni gjatë takimit me shefin e Shtëpisë së Bardhë.

Më herët, një apel të ngjashëm e bëri edhe ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, i cili iu drejtua vendeve të Perëndimit.

“Ose gjithçka, ose asgjë. Liderët europianë duhet ta inkurajojnë Trump jo vetëm që t’i qëndrojë marrëveshjes, por edhe të implementojë pjesën e tij”, tha Zarif.

Nga ana e tij, me të shkelur në Uashington, Macron ka deklaruar se vizita është shumë e rëndësishme për situatën aktuale, e mbushur sipas tij me pasiguri, telashe dhe herë pas here kërcënime.

Pak minuta më vonë, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se presidenti Trump ka qenë mëse i qartë për marrëveshjen me Iranin.

“Presidenti e ka thënë qartë se ajo nuk është një marrëveshje e mirë dhe qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar”, ka thënë zëdhënësja Sarah Sanders./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!