Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është pritur sot në Paris nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
“Franca nuk është vetëm një vend i rëndësishëm për ne, por mik i vërtetë”, tha Vuçiç.
Gjithashtu, presidenti serb e falënderoi Macron për bashkëpunimin në projektin e ndërtimit të një metroje në Beograd, ndërsa siç edhe tha para takimit, ai foli edhe për Kosovën.
“Çështja e Kosovës dhe Metohisë është një çështje shumë e rëndësishme për ne dhe nuk është aspak e lehtë. Të gjithë duhet të punojmë për arritjen e një zgjidhje kompromisi për të dy palët, gjë që nuk ka qenë deri më tani. Unë kam qenë gjithmonë i gatshëm ta dëgjojë presidentin Macron dhe idetë e tij. Le të përpiqemi t’i afrohemi një marrëveshjeje. Unë do t’ia paraqes platformën tonë presidentit Macron dhe jam i sigurt se do të kemi një marrëveshje të ndershme dhe të hapur dhe se do të arrijmë diçka në të ardhmen”, tha Vuçiç.
Ndërkaq presidenti i Francës, Emmanuel Macron e falenderoi Vuçiçin për vizitën dhe i ofroi “dyer të hapura” në rrugën e normalizimit dhe arritjes së paqes.
“Llogarisni në dyert e mia, e unë do të vazhdojë të jem me ju derisa të arrijmë përparim në këtë rrugë, në rrugën e normalizimit, por edhe në rrugën që na sjellë stabilitet e paqe në rajon dhe e di se ky është synimi i juaj”, tha Macron.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të qenë me popullin e Serbisë”, shtoi ai.