Macron humbet durimin me “Jelekët e verdhë”

schedule16:05 - 17 Shkurt, 2019

schedule 16:05 - 17 Shkurt, 2019

Presidenti francez Emmanuel Macron ka humbur durimin me protestuesit Jelekverdhë, pas agresionit verbal që i bënë një intelektuali hebre në Paris. Në reagimin e tij, Macron ka deklaruar se veprime të tilla bien ndesh me vlerat historike të Francës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka dënuar thirrjet anti-semitiste të një grupi protestuesish të lëvizjes “Jelekët e Verdhë” ndaj një intelektuali të njohur. Ditën e shtunë, agjentë të policisë morën në mbrojtje filozofin Alan Finkel Kraut pasi u ndodh nën një rrebesh fyerjesh e ofendimesh për shkak të prejardhjes së tij.

Në reagimin e tij, presidenti Macron ka deklaruar se kjo sjellje përbën mohim absolut të vlerave që e bënë Francën të madhe dhe për rrjedhojë nuk mund të tolerohen. Disa dhjetëra mijëra persona morën pjesë në protestat anti-qeveritare të së shtunës. Policia përdori gaz lotësjellës për të vënë nën kontroll turmën dhe protestuesit e “Jelekëve të verdhë”, që mbushën rrugët për javën e 14-të rresht.

Në një moment, agjentë të policisë u shkëputën nga një barrierë dhe vajtën në mbrojtje të Finkel Kraut, i cili po fyhej ashpër nga të pranishmit. “Hebre i ndyrë” dhe “ik vrit veten” ishin disa nga ofendimet që u bënë në adresë të akademikut 69-vjeçar.

“U përballa me një urrejtje të egër dhe u tremba për sigurinë time. Për fat të mirë aty qëlloi policia”, ka treguar eksperiencën e përjetuar filozofi. Presidenti Makron e telefonoi menjëherë atë për t’i ofruar mbështetjen e tij. Ngjarja ndodhi pak ditë pasi ministri i Brendshëm francez kishte paralajmëruar se anti-semitizmi po përhapej si një helm në vend, pas një seri incidentesh të regjistruara kundër hebrenjve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!