Presidenti i Francës, Emanuel Makron ka hapur samitin në Paris duke thënë se po humbasim luftën kundër ndryshimeve klimatike. Sipas tij, dalja e Shteteve të Bashkuara ka vështirësuan betëjën për këtë çështje. Megjithatë, Makron u shpreh optimist se Trump do të ndryshojë qëndrim.
Lufta kundër ndryshimeve klimatike është kolektive, por pas daljes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e përbashkët e firmosur në 2015 në Paris, kjo betejë është më e brishtë. Nuk është optimist presidenti Emanuel Makron në fjalimin e tij me të cilin hapi punimet e samitin “One Planet”, që zhvillohet në kryeqytetin francez.
“Po humbasim betejën” kundër ngrohjes klimatike, paralajmëron kreu i Pallatit Elize duke folur përpara qindra krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë bota. “Ne nuk po lëvizim aq shpejt sa duhet dhe kjo është drama”, vazhdoi ai duke ftuar “të gjithë të vihen në veprim, sepse në të kundërt të gjithë do të japin llogari”.
“Për të shpëtuar klimën, çdo aktor i shoqërisë duhet të punojë çdo ditë. Sot është në lojë një etapë e re e luftës sonë kolektive”, u shpreh Makron. Gjithashtu ai është theksoi shpresën e tij që presidenti amerikan Donald Trump të shqyrtojë vendimin e tij për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga pakti për klimën. “Unë nuk jam i gatshëm të rinegocioj por jam i gatshëm të mirëpres atë nëse vendos të rikthehet”, tha Makron për televionin amerikan CBS. Më tej ai shprehet: “Jam shumë i sigurtë se miku im presidenti Trump do të ndryshojë qëndrim në muajt apo vitet e ardhshme”.
Ndërkohë, zyra e presidentit francez më pas ka publikuar 12 projekte që do të kushtojnë qindra miliona dollare, me anë të të cilëve do të luftohen ndryshimet klimatike. Këto projekte u prezantuan edhe në samit. Mes tyre, është dhe një program për zhvillimin e automjeteve elektrike në 7 shtete amerikane, një fond investimesh për vendet e Karaibeve që u goditën nga uraganët dhe financime për fondacionin e Bill Gejts që mbështet fermerët./abcnews.al