Sirenat e luftës u dëgjuan sërish në Kiev, por kjo nuk i pengoi liderët e katër vendeve europiane dhe zyrtarët e Ukrainës të mbanin konferencën për shtyp.
Presidenti Francez, Emmanuel Macron, ai i Rumanisë, Klaus Iohannis, kryeministri italian, Mario Draghi dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, garantuan presidentin, Volodymyr Zelensky, së vendi i tij do të marrë statusin e kandidatit për në Bashkimin Europian. Por i shuan shpresat për një rrugë të shkurtër anëtarësimit duke e njoftuar se për këtë duhet shumë punë.
Lexo edhe: Liderët e Europës në Kiev mbështesin një zëri kandidaturën e Ukrainës për tu anëtarësuar në BE
“Të gjithë ne mbështesim dhënien menjëherë të statusit kandidat për anëtarësim. Ky status do të shoqërohet me një udhërrëfyes dhe do të nënkuptojë gjithashtu që situata e Ballkanit Perëndimor dhe e fqinjësisë, veçanërisht e Moldavisë, të merret parasysh. Europa është pranë jush, do të mbetet e tillë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, derisa të arrihet fitorja, një fitore që do të shohë kthimin e paqes në një Ukrainë të lirë dhe të pavarur”, deklaroi presidenti francez Macron, shkruan Express.
Gjithashtu kryeministri i Italisë Mario Draghi ripohoi mbështetjen e tij që Ukraina t’i bashkohet familjes së madhe të Bashkimit Evropian.
Ai tha se Italia dëshiron që Ukraina të ketë statusin e kandidatit në BE dhe do ta mbështesë këtë pozicion në takimin e Këshillit Evropian, i cili pritet të zhvillohet javën e ardhshme.
“Populli ukrainas mbron çdo ditë vlerat e demokracisë dhe lirisë që mbështesin projektin evropian, projektin tonë,” shtoi ai.
“Ne nuk mund ta vonojmë këtë proces”, tha kryeministri italian.
Pas vizitës së kryeministrit të vendit tonë, Edi Rama dhe atij të Malit të Zi Dritan Abazoviç, sot Ukrainën e vizituan kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri italian Mario Draghi. Ata mbërritën me tren nga Polonia në Kiev mëngjesin e së enjtes, më 16 qershor, ku më pas atyre u është bashkuar edhe presidenti rumun Klaus Iohannis./abcnews.al/