Macron: Do të stërvitim pilotët ukrainas për të komanduar avionët luftarakë

schedule21:44 - 15 Maj, 2023

schedule 21:44 - 15 Maj, 2023

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se vendi i tij ka “hapur derën” për të trajnuar pilotët ukrainas për të fluturuar me avionë luftarakë dhe këto programe trajnimi do të fillojnë menjëherë.

Macron dha një intervistë për televizionin TF1, një ditë pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Paris. Kur u pyet nëse Franca do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë, ai u përgjigj se kjo çështje nuk është diskutuar.

“Unë nuk fola për avionë, fola për raketa, fola për stërvitje”, tha ai, duke theksuar se “nuk ka tabu” kur bëhet fjalë për trajnimin e pilotëve ukrainas në avionët francezë. “Unë mendoj se diskutime të tilla tashmë janë duke u zhvilluar me amerikanët,” shtoi ai, pa dhënë detaje.

Parisi deri më tani nuk ka diskutuar mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë, duke shpjeguar se do të duheshin shumë muaj trajnime pilotësh. Megjithatë, fillimi i këtij trajnimi, me kalimin e kohës, mund t’i hap rrugë dërgimit të avionëve.

Lidhur me armët që do të sigurojë Franca, Macron nuk ka dashur të japë shumë detaje. “Vendosëm të japim municion të ri”, u kufizua vetëm duke thënë.

Sipas Macron, “Strategjia e Francës është e thjeshtë: ne ndihmojmë Ukrainën të rezistojë, të organizojë, një kundërsulm në momentin që ajo zgjedh, në mënyrë që të mund të sjellë të gjithë botën në tryezën e negociatave, me kushtet që do të zgjedhë vetë, të ndërtojë një paqe të qëndrueshme për veten e saj”. /abcnews.al