Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mass, mbështet hapjen e kushtëzuar të negociatave për Shqipërinë. Në një editorial për “Atlantik Council”, shefi i diplomacisë gjermane shprehet se Shqipëria ka bërë reforma ambicioze.
Duke sqaruar qëndrimin e Berlinit lidhur me reformimin e Bashkimit Europian dhe votën për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, ministri i Jashtëm i gjermanisë, Heiko Maas mbështet hapjen e kushtëzuar të bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë. Zyrtari i qeverisë së Angela Merkel përgëzon Shkupin dhe Tiranën për angazhimin e tyre në përmbushjen e reformave.
Heiko Maas, ministër i Jashtëm i Gjermanisë: “Fokusi është në demokracinë liberale dhe në funksionimin e shtetit të bazuar në sundimin e ligjit. Disa vende kanë bërë shumë progres në këto fusha. Për shembull Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, e cila do të quhet në të ardhmen Republika e Maqedonisë së Veriut. Shqipëria ka bërë gjithashtu përparim të dukshëm, duke kryer reforma ambicioze gjyqësore. Kjo është arsyeja pse unë shprehimisht mbështes hapjen e kushtëzuar të bisedimeve të pranimit me këto dy vende. Nëse heqim perspektivën e tyre të pranimit, të gjitha reformat që kanë nisur do të shkojnë kot”.
Gjithashtu Maas shton më tej se “krijimi i stabilitetit në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë një prioritet kryesor i politikës së jashtme Europiane. Sipas ministrit gjerman, nëse BE nuk menaxhon siç duhet procesin e anëtarësimit do të ketë pasoja fatale. Maas nënvizon se fuqi të tjera si Rusia, Kina dhe shtete të Lindjes së Mesme kanë mbushur boshllëkun e lënë nga Unioni në këto vende. Por sipas tij, kjo duhet të ndryshojë./abcnews.al