Jo të gjithë fermerët në Lushnje kanë mbjellë prodhime dhe kjo ka ndikuar në rritjen e çmimeve. Sipërfaqet e mbjella të tokës janë shumë më pak se vitin e kaluar.
Temperaturat nën zero nuk kanë penguar prodhuesit të dalin nëpër toka. Në Lushnje, fermerët nxitojnë të vjelin prodhimet. Kërkesat në treg janë të mëdha, ndaj edhe çmimet janë rritur. Një kilogram presh kushton 100 Lekë, kurse qepa arriti vlerën maksimale 200 Lekë.
Një vit më parë, preshi dhe qepa u hodhën nëpër kanale dhe u përmbysën me traktor. Frika se situata do të përsëritej edhe këtë vit bëri që shumë fermerë të mos mbillnin perimet dimërore. Sipërfaqet këtë vit u përgjysmuan, kurse ata që guxuan të punonin tokën dolën të fituar.
Tre anëtarët e familjes Mallia, në një dhomë pranë sobës, po bëjnë gati për treg 10 kuintal presh. Të gjithë janë pensionistë, por çmimi i lartë i detyron të punojnë në çfarëdo lloj ambienti.
Niveli i çmimeve në treg këtë vit është dyfishuar krahasuar me një vit më parë, për prodhimet bujqësore. Rritja e tyre ka ardhur për dy arsye. E para kërkesa e lartë për konsum dhe e dyta pakësimi i sipërfaqjeve të mbjella. Fermerët në Lushnje, e cila mban peshën kryesore të prodhimeve perimore në vend kanë lënë tokat pa mbjellë, për shkak të dështimeve ndër vite, ndaj muajt e ardhshëm pritet që çmimet të jenë më të larta edhe për prodhimet në sera. /abcnews.al