Emmanuel Egbo nuk i fshehu emocionet për fitimin e titullit kampion. Në prononcimin e dhënë për Supersport, trajneri i Tiranës rrëfeu se suksesi si trajner është më i veçantë se ai si lojtar, vlerëson të gjithë ata që punuan për triumfin e bardhebluve dhe e mbyll me një koment rreth së ardhmes.
TITULLI – “Është një ndjesi, që nuk e përshkruan dot me fjalë. Është e jashtëzakonshme ajo që kemi arritur. Kisha dalë kampion edhe si portier, por kjo është një ndjenjë e veçantë. Me shpresën e Zotit që na ndihmoi, ia dolëm ta fitojmë titullin”.
SUKSESI – “S’e kisha menduar se do arrinim deri këtu, por kur unë vendos të bëj diçka, jap gjithçka me shpirt dhe me gjak për ta bërë atë sa më mirë. Duke i bërë gjërat me pastërti dhe jo me intriga, ia del. Dua t’i falënderoj pa përjashtim të gjithë ata që kanë punuar për të arritur deri këtu”.
E ARDHMJA – “Që në fillim e dija për vështirësitë, prandaj e kisha të vështirë të zgjidhja, por i shkuam gjithçkaje në fund. Jemi në bisedime me klubin, jam gjithmonë gati për të vazhduar këtu. Nuk ka trajner që nuk do donte të vazhdonte me këtë ekip. Dua të vazhdoj të jem pjesë e këtij ekipi, por nuk është vetëm në dorën time”. /abcnews.al