Prej orës 18:00 deri në 20:00, selia blu priti kryesinë e Partisë Demokratike, grupin parlamentar demokrat dhe atë të Lëvizjes Sociasite për Integrim, aleatët dhe krerët e grupeve të rretheve.
Mbledhja e përbashkët e opozitës së bashkuar doli me vendim të unifikuar.
Lulzim Basha: “Hapësira e vetme për t’i qendruar në krah qytetarëve është mosbindja qytetare dhe kjo nis që këtë javë, në krah të qytetarëve me mosbindjen qytetare, me refuzimin jo vetëm të taksës në rrugën e Kombit por të çdo takse tjetër që ka rritur Edi Rama”.
Opozita i rezervoi vetes hapsirën për ndërthurjen e të gjitha formave të aktivitetit opozitar si do të gjykohet e përshtatshme, pa përjashtuar mundësinë e bojkotit parlamentar dhe protestave masive. Ndërkohë duke nisur nga seanca gjyqësore e protestuesve të rrugës së Kombit.
Lulzim Basha: “Opozita do të jetë e pranishme, do të jenë në ballë të çdo organizimi për ta bërë mosbindjen qytetare formën e parezistueshme që do të rrëzojë këtë bandë në pushtet dhe do t’i hapë mundësinë shqiptarëve për të zgjedhur një qeveri të shumicës me votë të lirë, që i shërben shumicës dhe respekton pakicën. Por tani për tani e gjithë vëmendja jonë është të jemi në krah të njerëzve. Ka vajtur aty ku nuk mban më. Nuk ia dalin më dot njerëzit prandaj kanë dalë në protestë. Jo për flamur partie dhe as për kauzë partie, por sepse nuk ia dalin dot më”.
Lëvizjet e mëdha fillojnë kur s’e prêt, mësohet të ketë thënë brenda mbledhjes lideri historik i partisë Sali Berisha.
“Kukësi e nisi, ndezi shkëndijën. Ne nuk largohemi deri në përmbylljen e kësaj qeverie. A jemi shumë apo pak? Me siguri absolute ju them jemi shumë. Kjo është mosbindje me vendosmërinë që ta nisim dhe nuk kthehemi më”.
Partia Demokratike i ka ezauruar hapësirat institucionale të lejuara për opozitën ndaj e vetmja rrugë, sipas Lulzim Bashës, përballë një kryeminsitri që shkel Kushtetutën dhe nuk i jep llogari askujt është mosbindja civile./abcnews.al