Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, Basha tha se nuk do të ketë asnjë normalizim politik në Shqipëri pa ndëshkuar autorët e vjedhjes së votave, ndërsa ftoi të gjithë qytetarët ti bashkohen protestës së nesërme që do të nisë në orën 20:00
Një gjeni qëndron pas të gjitha përgjimeve të gazetës gjermane Bild. Zbulimin e bën publik vetë kryetari i Partisë Demokratike.
“Ky është gjenialiteti kriminal i Edi Ramës”.
Këtë e argumenton me skemën që sipas kryedemokratit ka ndërtuar kryeministri për të bashkëpunuar ministrat, deputetët, administrata me njerëzit e lidhur me krimin.
“Nuk merren vesh njëri nga tjetri…
Të gjithë këta që përmendi kreu demokrat kanë timonierin e tyre.
Edi Rama është timonieri i vjedhjes së zgjedhjeve. Çdo gjë është bërë nën drejtimin e tij, me planifikimin, koordinimim, shtytjen dhe kontrollin e tij”.
Kryeministrin e akuzon se kërkon ta bëjë qesharak të gjitha publikimet e përgjimeve. Nuk është kjo mënyra për të dalë nga kriza që po kalon vendi e këshillon ai duke i dhënë edhe alternativën e zgjidhjes.
“Asnjë hap politik, asnjë zgjidhje politike në Shqipëri nuk do të bëhet pa patur në themel të saj ndëshkimin e të gjithë atyre që kanë vjedhur votat e shqiptarëve.
Asnjë marrëveshje politike për daljen nga kriza nuk do mund të arrihet, nëse pika numër 1 e saj nuk është ndëshkimi i vjedhësve të votave”.
Kush nuk e kupton është naiv thotë Lulzim Basha. Mesazhin e radhës ia dërgon atyre që sipas tij po përndjekin opozitën.
“Edi Rama nuk do t’ju mbrojë dot më.
Nëse sot ai ju bën të ndjeheni të fortë dhe të paprekshëm, kur dhunoni njerëzit, nesër, do të provoni në palcë forcën e drejtësisë”.
Në veçanti i drejtohet ministrit të brendshëm.
“Sandër Lleshaj është sot vegla më e ftohtë dhe e pashpirt e Edi Ramës
Në misionin e tij për të dhunuar opozitën, për të luftuar popullin, për të nxitur vëllavrasje, shkëlqen Sandër Lleshaj, që duket i lumtur për shërbimin e tij”.
Jo vetëm ministri Lleshaj, por edhe drejtori i policisë Ardi Veliu e të gjithë ata që kanë dhunuar qytetarët do të jenë në burg shumë shpejt i paralajmëron shefi opozitës.
“Në qelinë ku sot është Bardh Spahia do të jetë njëri nga ju nesër. Në qelitë ku ndodhen burra dhe gra protestues, baballarë dhe nëna, të rinj e të reja, do të jeni ju”.
Kryetari i Partisë demokratike premton se do të realizojë me sukses operacionin për heqjen e këtij kanceri siç e emëron ai qeverisjen e kryeministrit Edi Rama./ABC News Albania 24/7