Lukashenko rrëmbeu avionin, agjentët rusë hipën në Athinë dhe “avulluan” në Minsk

schedule14:13 - 24 Maj, 2021

schedule 14:13 - 24 Maj, 2021

Vendet perëndimore akuzojnë Bjellorusinë për pirateri dhe kërkojnë mënyra për t’iu përgjigjur lëvizjes provokuese të regjimit Lukashenko, i cili devijoi fluturimin e avionit Ryanair nga Athina në Vilnius, duke e detyruar të ulet në Minsk. Ky veprim u bë për të arrestuar gazetarin Roman Protasevich.

Çështja do të dominojë bisedimet në samitin e sotëm europian, por mënyrat për t’u përgjigjur janë të kufizuara. Brukseli dhe Uashingtoni kanë vendosur tashmë një seri sanksionesh ekonomike mbi Minsk që nga viti i kaluar për shtypjen e tij brutale të protestave anti-Lukashenko.

Këto sanksione nuk ndikuan në sjelljen e Aleksandër Lukeshankos, aleat i ngushtë i Moskës. Zyrtarët nga regjimi bjellorus janë të ndaluar të udhëtojnë dhe të bëjnë biznes në Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Një masë tjetër që diskutohet është anashkalimi i hapësirës ajrore të Bjellorusisë në fluturimet ndërkombëtare.

Tashmë, linja ajrore letoneze Baltic është kompania e parë që njofton se nuk do të përdor hapësirën ajrore bjelloruse në fluturimet e saj, përcjell abcnews.al.

Franca dhe partnerët e saj evropianë janë duke hartuar masa për të pezulluar fluturimet në hapësirën ajrore të Bjellorusisë dhe për të ndaluar uljen e avionëve kombëtarë të linjës ajrore të Belavia në aeroportet e Bashkimit Europian, ka njoftuar presidenca franceze.

“Ne jemi duke punuar në një paketë masash përveç sanksioneve kundër personave dhe është e mundur që të ndalojmë kalimet tokësore me BE,” sipas një burimi në zyrën e Emanuel Macron .

CEO i Ryanair Michael O’Leary foli për piraterinë e Bjellorusisë dhe tha se besonte se agjentët e KGB shërbimet sekrete ruse dhe bjelloruse kishin hipur në avion nga Athina dhe kishin zbritur në Minsk.

Kjo do të thotë që Ryanair ka detajet e pasaportës së këtyre agjentëve që u zhdukën pas zbarkimit dhe informacione të tjera që mund të ndihmonin në hetim. Shefi i policisë lituaneze tha se 126 pasagjerë ishin nisur nga aeroporti i Athinës dhe 121 arritën në Vilnius. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!