Alexander Lukashenko paralajmëron se Bjellorusia do të jetë e gatshme të përdorë armët bërthamore të dhëna nga Rusia përballë “agresionit” të huaj, ndërsa tensionet rriten rreth kufijve me vendet e NATO-s.
Minsku ka luajtur një rol kyç në luftën e Rusisë në Ukrainë, me Moskën që e ka përdorur Bjellorusinë si një nga pikat e saj të nisjes për pushtimin në fillim të vitit 2022 ndërsa stërvitjet e përbashkëta gjatë vitit të kaluar kanë nxitur shqetësimet se trupat bjelloruse mund të bashkohen me forcat ruse në konflikt.
Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse provokohet, veçanërisht nga vendet fqinje të NATO-s si Polonia, Lituania dhe Letonia, Bjellorusia do të përgjigjet menjëherë me gjithçka që ka, përfshirë armët bërthamore.
Për agjencinë shtetërore të lajmeve Belta, Lukashenko tha: “Ne nuk i sollëm armë bërthamore këtu për të trembur dikë. Po, armët bërthamore përfaqësojnë një faktor të fortë pengues. Por këto janë armë taktike, jo strategjike. Kjo është arsyeja pse ne do t’i përdorim ato menjëherë pasi të nisë agresioni kundër nesh.”
Zyrtarët e lartë të DIA-s thanë në korrik se nuk besojnë se Lukashenko do të kishte ndonjë kontroll mbi arsenalin, i cili me shumë gjasa do të kontrollohej tërësisht nga Rusia./abcnews.al