Trajneri i kombëtares belge, Roberto Martinez, beson se mungesa e Romelu Lukakut në Botërorin e Katarit do ta detyronte ekipin e tij të ndryshojë mënyrën e lojës.
Lukaku po lufton me një dëmtim, edhe pse vetëm së fundmi është rikthyer në fushë pas një pushimi prej dy muajsh. Paraqitja e tij në Kupën e Botës në Katar është e diskutueshme.
Mjeku i kombëtares belge, Christoph Sass, e cilësoi dëmtimin e ri të Lukakut si një pengesë dhe jo një goditje përfundimtare për shanset e lojtarit për të dalë në Botëror.
Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, tha se pa Lukakun, Belgjika do të duhet të rindërtojë mesfushën e saj dhe linjën sulmuese.
“Lukaku është i pazëvendësueshëm në kombëtaren belge. Çdo kombëtare ka lojtarë të pazëvendësueshëm. Shikoni Argjentinën me Lionel Messin, Kroacinë me Luka Modric, Marcel Brozovic dhe Mateo Kovacic. Të tillë lojtarë kanë edhe Spanja dhe Gjermania. Vetëm kështu funksionon. Në rastin tonë, ata janë Thibaut Courtois, Kevin de Bruyne dhe Romelu Lukaku. Nëse ata nuk luajnë, ne duhet të luajmë në një mënyrë tjetër. Nëse nuk është Lukaku, ndoshta duhet të luajmë me më shumë sulmues”, tha Martinez. /G.D abcnews.al/