Interi fitoi 4-2 kundër Torinos në “San Siro”, në një ndeshje me dy tablo. Zikaltrit vuajtën për një orë lojë, miqtë po kryesonin 0-2, por gjysmëorëshi i fundit solli përmbysjen e madhe të djemve të Antonio Contes.
Romelu Lukaku, autori i dy golave (7 gola në Serie A) dhe një asisti në suksesin e ditës së sotme, shfaqet kritik në prononcimin e dhënë pas ndeshjes. “E them sinqerisht, nuk jemi një skuadër e madhe, nuk është gjë e mirë të vuajmë kaq shumë.
Luajtëm shumë keq për 60 minuta, hasëm vështirësi të madhe, na mungoi dëshira dhe cinizmi. Më pas u zgjuam dhe fituam, kjo është gjëja më e rëndësishme. Unë jam një lojtar që dua të ndihmoj gjithmonë shokët.
Nuk më pëlqen të më cilësojnë si lider, tek Interi ka shumë lojtarë të tjerë me përvojë. Unë jam vetëm 27 vjeç, vihem gjithmonë në shërbim të ekipit për të fituar, por duhet të japim më shumë. Sot nuk zhvilluam një ndeshje të madhe.
Forma ime? Gjithmonë synoj të përmirësohem, dua të bëhem një futbollist i madh. Më pak fjalë, dua të fitoj trofe. Kjo është ambicia ime, pasi ndodhem në një ekip të shkëlqyer dhe kemi një trajner të madh në drejtim“, deklaron bomberi belg. /abcnews.al