Romelu Lukaku është gati për derbin me Milanin dhe shpreson t’i shënojë sërish kuqezinjve. Sulmuesi belg i Interit është përshtatur menjëherë me futbollin italian dhe deri tani ka shënuar 20 gola në të gjithë kompeticionet.
26-vjeçari ka qenë i ftuar në emisionin Tiki Taka, aty ku flet për derbin dhe Zlatan Ibrahimovic. Suedezin e kishte shok skuadre te Manchester United dhe e respekton shumë, teksa zbulon edhe momentin që u bë tifoz i Interit.
“Ishte një emocion i madh t’i shënoja Milanit, pasi kam ëndërruar gjithmonë të luaja me Interin. Finalja e parë që mbaj mend ka qenë ajo e Kupës UEFA mes Interit dhe Lazios (u luajt në 1998 dhe përfundoi me fitoren 3-0 të zikaltërve). Që prej atij momenti kam pasur ambicien për të luajtur në Itali me Interin.
Ibrahimovic është një kampion i madh, e respektoj shumë. Stërvitesha çdo ditë me të te Manchester United dhe kjo ishte gjëja më e bukur për mua. Zlatan është një profesionist i madh, nuk habitem që vijon të bëjë gjëra të mëdha edhe në moshën 38-vjeçare. Ai punon shumë dhe gjithmonë më jepte këshilla“, deklaron Romelu Lukaku. /abcnews.al