Romelu Lukaku “flet pa doreza”. Në një lidhje në “Instagram” të organizuar nga Puma, sulmuesi i Interit bisedon me Thierry Henry, një nga idhujt e tij. 26-vjeçari belg nuk i kursen thumbimet nga Juventusit, tregon se çfarë i mungon më shumë dhe e mbyll me idhujt e tij.
“Shëndeti vjen i pari. Përse duhet të luajmë kur ka ende persona që rrezikojnë jetët e tyre? Megjithatë, është e nevojshme që të dalë pozitiv një lojtar i Juventusit (Rugani) që futbolli të ndalet. Është normale e gjitha kjo? Aspak.
E pranoj që më mungon futbolli, por ka kaluar në rrafshin sekondar. Më mungon më shumë ritmi i ndeshjeve, duelet me kundërshtarët, stadiumet plot dhe mbështetja e tifozëve. Unë jetoj për të shënuar gola. Në metrat e fundit duhet të jesh dinamik dhe të sulmosh hapësirën në momentin e duhur.
E kam dashur shumë Adrianon, i cili ka realizuar gjëra të mëdha me fanellën e Interit. Kujtimet e para nga futbolli i përkasin vitit 1998, kohë kur Ronaldo fenomeni tregonte se kishte një klas superior me të tjerët. Kam admiruar edhe Henry e Drogba”, përfundon sulmuesi i Interit. /abcnews.al