Luigi di Maio vizitë në Kosovë, Haradinaj-Stublla: Mbështetje për sigurimin e vaksinës anti-Covid

schedule14:29 - 30 Dhjetor, 2020

schedule 14:29 - 30 Dhjetor, 2020

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj Meliza Haradinaj-Stublla, sot priti në takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë,  Luigi di Maio.

Stublla tha se ministri Luigi di Maio e siguroi për mbështetjen në sigurimin sa më të shpejtë të vaksinës anti-Covid.

Shefja e diplomacisë kosovare tha se ministri di Maio,  po qëndron në Kosovë për të përshëndetur trupat italiane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

“Me homologun italian kishim një takim të frytshëm, ku diskutuam për situatën aktuale në Kosovë dhe zhvillimet në rajon, e sidomos për bashkëpunimin e mirë në shumë fusha mes Kosovës dhe Italisë, dy vende që vazhdojnë të fuqizojnë marrëdhëniet e shkëlqyera mes vete”, tha pas këtij takimi Kryediplomatja e Kosovës.

Pashmangshëm një prej temave qendrore të takimit ishte situata me pandeminë në të dyja shtetet, ku Ministrja Haradinaj-Stublla mori përkrahjen e Ministrit Di Maio për bashkëpunim të ngushtë me Italinë për mundësinë e sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës anti-covid 19 për qytetarët e Kosovës.

“Ministri Di Maio më premtoi se Italia po punon intensivisht me Komisionin Evropian për të krijuar një linjë të veçantë për sigurimin e vaksinave për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në pjesën e parë të vitit 2021”, u shpreh ajo.

Ministrja Haradinaj-Stublla bëri të ditur se gjatë këtij takimi është diskutuar gjithashtu edhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me rëndësi strategjike, veçanërisht në atë të mbrojtjes dhe përkrahjes së mëtejme për fuqizimin e rinisë së mrekullueshme të Kosovës.

 

 

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!