Luftimet në Siri, forcat turke marrin nën kontroll qytetet kufitare

schedule12:58 - 13 Tetor, 2019

schedule 12:58 - 13 Tetor, 2019

Forcat turke të ndihmuara nga rebelët sirianë po vazhdojnë ofensivën e tyre në Siri. Në orët e fundit raportohet se ato kanë marrë nën kontroll disa nga zonat kufitare turko-siriane, por të dhënat janë ende kontradiktore.

Forcat turke dhe aleatët e tyre sirianë kanë marrë nën kontroll zona të shumta në veri të qytetit të Sulukut, teksa vijojnë ofensivën e tyre kundër milicive kurde për të pestën ditë rresht, pavarësisht reagimit të ashpër ndërkombëtar.

Turqia është kërcënuar me sanksione nga Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që Gjermania dhe Franca, vende aleate në NATO kanë deklaruar se kanë ndërprerë eksportin e armëve drejt Turqisë. Ndërkohë, edhe vendet e Ligës Arabe kanë dalë kundër ndërhyrjes turke.

Ankaraja nisi operacionet ushtarake kundër milicive kurde pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tërhoqi trupat amerikane nga rajoni kufitar siriano-turk. Turqia deklaron se fraksioni YPG, ose Njësia për Mbrojtjen e Popullit, është një grup terrorist i lidhur me militantët kurdë në Turqi. Observatori sirian për të drejtat e njeriut bëri të ditur se forcat turke dhe rebelët sirianë kishin hyrë në Suluk, që ndodhet rreth 10 kilometra nga kufiri me Turqinë.

Agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu” raporton se rebelët e mbështetur nga Ankaraja kanë marrë nën kontroll të gjithë qytetin. Luftime janë regjistruar gjithashtu përreth qytetit tjetër kufitar Ras al Ain, i cili ka qenë nën sulmin e vazhdueshëm të artilierisë turke.

Rebelët sirianë të mbështetur nga Ankaraja, të njohur si Ushtria Kombëtare, avancuan në qytetin në fjalë ditën e shtunë, por të dielën pati ende luftime dhe raportime kontradiktore mbi kontrollin e qytetit. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!