Tre skuadra të Superiores kanë shënuar emrin në histori dhe kjo për shkak të përdorimit të rregullores së re të zëvendësimeve. FIFA u la dorë të lirë federatave për ta rritur numrin e zëvendësimeve nga tre në pesë dhe kjo u përqafua edhe nga FSHF.
Një ditë më parë Superiorja rinisi dhe tre prej skuadrave i përdorën ato. Kështu, trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, pas minutës së 60-të mendoi ta freskonte skuadrën në Ballsh. Të parët në fushë u hodhën Halili e Ismajgeci, që zunë vendet e Cale dhe Hoxhallarit.
Më pas u aktivizua Edon Hasani, për t’i lënë radhën Tefik Osmanit dhe Mario Morinës. Edhe Neritan Novi mendoi t’i bënte të gjitha zëvendësimet, pasi në pjesën e dytë hodhi në fushë emra si Haxhiu, Brahilika, Oshafi, Ziaj dhe Puci.
Te Vllaznia, që disa ditë edhe nuk është stërvitur për shkak të bojkotit, trajneri Mirsad Jonuz i bëri të gjitha lëvizjet e mundshme, me kapitenin Lika të aktivizuar në vend të Zogaj, Sidorencon në vend të Shtubinës, Bardullën në vend të Hygor, Lekajn në vend të Gligorov, kurse moldavi Cojocaru zëvendësoi Dajan Shehin. /abcnews.al