Luftëtari në kaos, revoltohen tifozët: Kiamet i zi, Gjirokastra fshat i madh pa futboll

schedule14:57 - 18 Tetor, 2020

schedule 14:57 - 18 Tetor, 2020

Luftëtari është ndoshta në momentin më të vështirë në histori. Bluzinjtë rrezikojnë të mos garojnë dot në Kategorinë e Parë, për shkak të borxheve të shumta që klubi gjirokastrit ka ndaj ish-lojtarëve, kryesisht të huaj që kanë triumfuar në gjyqet e nisura në FIFA. Merkato u është bllokuar dhe tifozët në qytetin gurtë nuk mund të pranojnë situatën në të cilën u është përfshirë klubi i zemrës.

Ditën e sotme ata kana dalë para mediave dhe kanë shfaqur shqetësimin e tyre për shkrirjen e Luftëtari. Një përfaqësues i tyre ka folur dhe deklarata e tij është krejtësisht e qartë: “Kemi kërkuar nga bashkia Gjirokastër që Luftëtari të ekzistojë. Rrezikon të mos jetë më ky emër dhe nuk ka më kiamet më të zi. Nuk kanë çfarë i bëjnë më shumë këtij qyteti.

Nuk bëhet fjalë vetëm për ekipin e parë, por edhe për moshat. Ku do i çojnë fëmijët? Nuk ka hata më të madhe se kjo.  Këta çobanë që e kanë uzurpuar futbollin, nëse kanë falimentuar le të ikin, të zhduken, nuk ka intereson fare. Na intereson qyteti të ketë ekipin. Ky është tmerri më i madh. Futboll jo, basketboll jo, nuk ka asnjë aktivitet qyteti.

Ne jemi tifozë të Luftëtarit dhe ndjejmë kush më shumë e kush më pak. Duam të kthehet ekipi. Kemi pasur një takim me kryebashkiaken dhe tani jemi në pritje të vendimeve. Hapat e tjera i di bashkia, ne na intereson të kthehet Luftëtari”.

LEXO EDHE: “Apokalips” te Luftëtari, si po shuhet futbolli në Gjirokastër (VIDEO)

“Na dhemb në zemër, duhet ta ndërpresim këtë pikiatë”, tha një tjetër tifoz tjetër. Gazetari sportiv, njëkohësisht edhe fotograf, Gëzim Beqiri, është një prej atyre që japin një mendim dhe ai shprehet se një situatë e tillë ishte e pritshme.

“Ka qenë e paramenduar që futbolli të përfundonte si basketbolli. Duhet të kërkohet që bashkia ta marrë futbollin dhe ta trajtojë me taksat e qytetarëve. Po t’i heqësh Gjirokastrës futbollin, ky qytet është i vdekur, aq më shumë se jeta kulturo-artistike nuk është shumë e avantazhuar. Përfundimisht Gjirokastra mbetet një fshat i madh”, tha Beqiri mes të tjerash. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!