Luftëtari ia del edhe me Skënderbeun

schedule18:41 - 26 Janar, 2018

schedule 18:41 - 26 Janar, 2018

Skënderbeu gjeti një rival të vërtetë në Superligën shqiptare, dhe për çudi ky është në vendet e fundit të tabelës. Luftëtari arriti një fitore të merituar ndaj kryesuesve të kampionatit.

Renditja nuk e tregon, por padyshim është ekipi më në formë.
Luftëtari po bind më shumë se kushdo tjetër në Superligën shqiptare dhe pas shkatërrimit që i bëri Partizanit dhe humbjes në shtëpi që i shkaktoi Kukësit, ja ku mundi edhe më të fortin, Skënderbeun.

Një ndeshje e madhe u luajt në stadiumin e Gjirokastrës, për javën e 17 të kampionatit dhe kryesuesit që shkëlqyen edhe në Europë u detyruan të dorëzoheshin.
Humbjen ua shkaktuan sidomos dy prej lojtarëve që pritet të jenë në Korçë sezonin e ardhshëm, Kristal Abazaj autor i dy golave dhe Devi Bregu, një nga sulmuesit më të mirë në Shqipëri.

Sidoqoftë, siç e theksoi me të drejtë trajneri vendas, Hasan Lika, pas ndeshjes, fitorja erdhi falë lojës së gjithë skuadrës.

Luftëtari e nisi dhe e përfundoi më mirë ndeshjen, si dhe krijoi më shumë raste, edhe pse miqtë nuk ndenjën aspak duarkryq.
Për fat, drejtuesit gjirokastritë e ndreqën shpejt gabimin e fillimit të edicionit, duke larguar trajnerët nga Amerika e Jugut, e duke vendosur Likën në stol.

Një skuadër me mjaft talent kishte nevojë vetëm për këtë dhe ndryshimi erdhi shpejt.

Ndaj kryesuesve të Superligën u shfrytëzuan menjëherë disa nga lojtarët e marrë në janar si Jakovljeviç, Xhekson, Aleksi, Shkurtaj si edhe Liçaj.

Në renditje, Luftëtari mbetet ende modest, vetëm në vendin e 7, por ecuria e javëve të fundit mund ta ndihmojë të arrijë edhe kualifikimin për në Europë.
Sa për Skënderbeun, diferenca me ndjekësit mbetet e madhe, ndonëse titullin nuk mund të thuhet se e ka të fituar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!