Lufta Turko-Kurde, Trump: Njësoj si një lojë fëmijësh

schedule20:03 - 18 Tetor, 2019

schedule 20:03 - 18 Tetor, 2019

Presidenti Donald Trump nuk i ka kursyer ironitë lidhur me luftën mes trupave turke dhe atyre kurde në veri të Sirisë. Duke folur përpara mbështetësve të tij, Trump e ka krahasuar konfliktin e dhunshëm me një lojë fëmijësh, ndërsa ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqjen e trupave.

Presidenti amerikan Donald Trump e ka krahasuar konfliktin e armatosur mes forcave turke dhe atyre kurde në veri të Sirisë me një lojë fëmijësh.

Njësoj si dy fëmijë, duhet t’i lësh të zihen më parë dhe më pas duhet t’i ndash”, ka deklaruar Trump gjatë një mitingu në Teksas.

Trump u kritikua gjerësisht për vendimin e tij për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, por në tubimin e mbajtur ai e ka mbrojtur vendimin e tij.

“U tregova origjinal në atë që bëra. Thash se ata do të luftonin për pak kohë dhe kështu ndodhi. Luftuan për disa ditë një betejë të dhunshme”, ka thënë Trump.

Të enjten, Turqia ra dakord për të ndërprerë operacionet ushtarake për aq kohë sa luftëtarëve kurdë do t’u duhet të largohen nga zona kufitare turko-siriane. Por luftimet vijuan edhe gjatë së premtes, pavarësisht mohimit që i bëri zërave presidenti turk Reçep Taip Erdoan.

Erdogan tha gjithashtu se edhe luftëtarët kurdë kishin nisur tërheqjen, por shtoi se trupat turke do të vazhdojnë të qëndrojnë në zonën kufitare për t’u siguruar që ata të largohen me të vërtetë.

Kurdët ranë dakord të ulnin armët në zonën mes qyteteve Ras al Ain dhe Tal Abjad, ku luftimet kanë qenë të ashpra, por deklaruan se për zonat e tjera nuk është diskutuar. Ndërkohë, sa vjen e rritet shqetësimi për kryerjen e krimeve të luftës nga Turqia dhe milicitë aleate të saj që nga nisja e ofensivës më 9 tetor./abcnews.al