Një armëpushim i vendosur midis Rusisë dhe Ukrainës, për të lejuar evakuimin e civilëve në dy qytete juglindore të Ukrainës është pezulluar, vetëm disa orë pasi autoritetet ranë dakord për krijimin e korridoreve humanitare, shkruan BBC
Mariupol dhe Volnovakha ndodhen prej disa ditësh tashmë nën kërcënimin e forcave ruse. Por e shtuna filloi pozitivisht, me njoftimin se civilët do të lejoheshin të largoheshin përgjatë rrugëve të dakorduara midis orës 09:00 – 16:00.
Lexo edhe: Rusët po shkatërrojnë qytetet, shpresë te negociatat: Çfarë ka ndodhur sot në Ukrainë
Megjithatë, jo shumë kohë pasi filloi evakuimi, pala ukrainase akuzoi trupat ruse se kanë përfituar nga armëpushimi për të përparuar forcat ushtarake. Autoritetet ukrainase njoftuan për bombardime rreth Orikhiv, i cili ndodhet afër Mariupol.
Ndërkohë sipas një deklarate të nënkryetarit të bashkisë së Mariupolit dhe të një banori, forcat ruse po bombardonin zonën pavarësisht armëpushimit të përkohshëm. Në kuadër të ngjarjeve dhe të pamundësisë për të larguar banorët nga vendi, autoritetet pezulluan evakuimin.
Ata i kërkuan banorëve të strehoheshin në vende të sigurta deri në një njoftim të dytë. Menjëherë pas deklaratës së zyrtarëve ukrainas, Ministria ruse e Mbrojtjes hodhi poshtë akuzat duke thënë se armëpushimi u shkel nga “nacionalistët” ukrainas” që qëlluan mbi trupat e saj.
/abcnews.al