Rusia tha se dy komandantë të saj ushtarakë janë vrarë në luftimet afër qytetit lindor ukrainas të Bahmutit.
Në një njoftim të rrallë për humbjet në fushëbetejë, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha më 14 maj se komandanti i brigadës së katërt të pushkëve të motorizuara, Vyacheslav Makarov, dhe zëvendëskomandanti i korpusit të ushtrisë për punë ushtarako-politike, Yevgeny Brovko, janë vrarë gjatë luftimeve në lindje të Ukrainës.
Ky njoftim vjen në kohën kur beteja të ashpra po zhvillohen për kontrollin e Bahmutit, qytet që gjendet në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut.
Koloneli Makarov u vra teksa brigada e tij po zmbrapste sulmet nga trupat ukrainase në jug të vendbanimet Krasne, tha Ministria ruse e Mbrojtjes përmes një njoftimi.
“Dy sulme të armikut janë zmbrapsur”, u tha në deklaratë. “Teksa sulmi i tretë po zmbrapsej, komandanti i brigadës u plagos rëndë dhe vdiq gjatë evakuimit nga fushëbeteja”.
Brovko u vra teksa trupat ruse po zmbrapsnin sulme gjetkë, tha ministria, duke shtuar se ai “vdiq heroikisht, pasi kishte pësuar disa plagë nga copëzat e predhave”.
Duke iu referuar grupit të mercenarëve, Wagner, Moska tha se “detashmentet e sulmit” kanë vazhduar të luftojnë për kontrollin e pjesëve perëndimore të Bahmutit, me mbështetjen e forcave ajrore.
“Gjatë ditës së kaluar, armiku ka bërë përpjekje masive për të thyer mbrojtjen e trupave tanë në veri dhe jug të Artemovskit”, tha ministria ruse, duke iu referuar Bahmutit me emrin që përdorin rusët.
“Të gjitha sulmet e forcave të armatosura ukrainase janë zmbrapsur”, pretendoi Moska.
Rusia rrallë ka pranuar humbjet në fushëbetejë.
Vitin e kaluar, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se 5.937 trupa ruse ishin vrarë gjatë luftimeve edhe pse analistët ushtarakë kanë thënë se Moska ka tentuar që të fshehë shkallën e humbjeve që po pëson në Ukrainë.
/rel