Lufta në Ukrainë, Rama: Shans për përdorimin e energjisë së gjelbër, na duhet ndihma e Arabisë Saudite

schedule17:31 - 24 Gusht, 2022

schedule 17:31 - 24 Gusht, 2022

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë ditën e mërkurë në Forumin “Europian Alpbach” që po zhvillohet në Austri.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë shqiptare ka folur për rëndësinë e përdorimit të energjisë së gjelbër.

Sipas tij ky është momenti që Europa të përshpejtojë përdorimin e energjisë së gjelbër, duke ju referuar situatës së luftës në Ukrainë.

Për kryeministrin e Shqipërisë Europa ka nevojë për Arabinë Saudite për të finalizuar operacionin për energjinë e gjelbër.

“Pika e fundit që kam është që ndërkohë kjo luftë ka ardhur edhe me një shans jashtë mase, jashtë mase interesant po të mund ta përdorja këtë fjalë, për të bërë një tranzicion më të shpejtë, të gjelbër, jo më për shkak të dëshirës, por për shkak të nevojës. Ne mund të ecim shumë më shpejt për të ndryshuar tërë natyrën e prodhimit tonë të energjisë. Por për këtë kemi nevojë për Arabinë Saudite për shembull. Kemi nevojë të shohim nga Lindja e Mesme.

E po përmend Arabinë Saudite sepse ka një potencial të stërmadh për të krijuar bashkëpunim bazuar në vizionin e 2030 që po kështu ka të bëjë me eksportimin, pra për ta bërë Arabinë Saudite, imagjinojeni, ata janë të ulur mbi naftë e duan të bëhen të vetëmjaftueshëm në energjinë e gjelbër dhe eksportues neto të energjisë së gjelbër.

Pra, bëhen shumë çështje bashkë. Kësisoj kjo rrugë vjen me shumë rreziqe, por dhe me potencial të madh. Në fund të fundit, sa më të pasura të jenë vendet, aq më të mëdha janë problemet për të pasur rezistencë, kjo është çështja. Ata kanë para, por aftësia për të sakrifikuar është shumë më e ulët” – tha Rama.

Pjesë e diskutimit ishte dhe “zgjimi” gjeopolitik i BE-së, ku Rama diskutoi çështjen e liberalizimit të vizave me Kosovën. Sipas tij, Kosova është marrë “peng” përsa i përket lirisë së lëvizjes së njerëzve.

“Kosova u çlirua nga fuqitë e mëdha demokratike nga një regjim barbar. Por nën regjimin barbar ata mund të lëviznin lirisht në Europë, me çlirimtarët ata janë peng, nuk mund të lëviznin lirisht. Kështu që, gjyshërit e fëmijëve që kanë lindur në Kosovën e lirë dhe që tashmë janë në moshë madhore mund të shkonin në Gjermani, të vinin në Austri, edhe të punonin. Fëmijët nuk mund të lëvizin sepse nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën”, u shpreh Rama në forumin me temë “Zgjimi gjeopolitik i BE-së”.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!