Themeluesi dhe kreu i organizatës mercenare ruse Wagner, Yevgeny Prigozhin, tha në një video-mesazh të postuar në internet se forcat e tij kontrollojnë më shumë se 80% të qytetit ukrainas Bakhmut.
Bakhmut, një qytet i vogël në provincën ukrainase të Donetskut në Ukrainën lindore, ka qenë objektivi i një ofensive në shkallë të gjerë ruse prej muajsh. Qyteti, i cili para pushtimit rus që filloi 14 muaj më parë kishte rreth 70 mijë banorë dhe është skena e luftimeve të ashpra.
Për shkak të kohëzgjatjes së gjatë të konfliktit dhe viktimave të mëdha nga të dyja palët, qyteti është kthyer në një simbol të betejës mes rusëve dhe ukrainasve për kontrollin e rajonit industrial të Donbasit.
Trupat ruse kanë avancuar muajt e fundit në veri dhe në jug të Bakhmutit, duke ndërprerë disa rrugë furnizimi të Ukrainës dhe duke pushtuar pjesën lindore të tij. Ditët e fundit, ata duket se po lëvizin drejt qendrës, duke nxitur spekulime të reja për një tërheqje ukrainase.
Dje, komandanti i forcave tokësore të Ukrainës tha se trupat ruse po adoptojnë taktikat e “tokës së djegur” në Bakhmut dhe po shkatërrojnë ndërtesa dhe pozicione me sulme ajrore dhe zjarr artilerie.
Të premten e kaluar, qeveria ukrainase tha se Moska po përqendronte të gjitha përpjekjet e saj në kapjen e Bakhmutit, ku situata sipas Kievit është “e vështirë”, por trupat e saj po rezistojnë pavarësisht epërsisë numerike të forcave ruse. /abcnews.al