Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se për shkak të nevojave të FSK-së dhe situatës aktuale ndërkombëtare, kanë themeluar Fondin e Sigurisë.
Kurti në një postim në Facebook tha se ky vendim u mor pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë. Me financat e mbledhura, Qeveria synon t’i përdor sipas strategjisë së sigurisë shtetërore të Kosovës, e cila pritet të miratohet nga Ekzekutivi.
“Themeluam Fondin e Sigurisë. Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”. Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës. Funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria”, ka shkruar ai.
Kryeministri i ka ftuar qytetarët dhe bashkëatdhetarët në diasporë që të kontribuojnë për sigurinë shtetërore.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi do të zbatohen procedurat për prejardhjen e mjeteve financiare me qëllim të ruajtjes së integritetit të fondit dhe qëllimit të tij. Ftohen qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët tanë në diasporë por edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore”, ka shkruar Kurti. /Express