Suedia do të përballet mbrëmjen e sotme në orën 20:45 me Republikën Çeke në kualifikueset e Botërorit.
Kombëtarja fituese e kësaj përballje do të luajë kundër Polonisë për të prerë pastaj një biletë për në Kupën e Botës “Katar 2022”.
Në konferencën për shtyp ditën e sotme për kombëtaren suedeze ishte sulmuesi Zlatan Ibrahimovic i cili përveç se foli për takimin e mbrëmjes, nuk la pa përmendur edhe luftën në Ukrainë, ku sipas tij kjo që është e tmerrshme.
“Është shumë e vështirë të flasësh për luftë. Unë e përcjell mesazhin tim përmes futbollit. Ne do të luajmë futboll dhe do të përpiqemi të përhapim energji dhe dashuri. Është tragjike kjo që po ndodh sot. Në vitin 2022 duhet të merremi me gjëra normale, jo të kalojmë luftëra në të cilat njerëzit duhet të vuajnë. Ne thjesht kaluam një pandemi, dolëm prej saj dhe lufta filloi”, tha Ibrahimovic.
“Unë dua të jem pozitiv, të ndaj paqen dhe dashurinë. Kjo është ajo që unë shpresoj që të vijë sa më shpejt. Fik televizorin dhe nuk ndjek mediat. Më kanë thënë se çfarë po ndodh, por nuk po e ndjek. Shpresoj se do të zgjidhet, por nuk dua ta ndjek. Unë jam kundër luftës, por po fokusohem në disa gjëra të tjera”, përfundoi ai. /f.a/abcnews.al