Lufta në Siri, fuqitë pro-Assad kritikojnë ndërhyrjen e SHBA

schedule17:04 - 15 Janar, 2018

schedule 17:04 - 15 Janar, 2018

Turqia dhe Rusia kanë kritikuar ashpër ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Siri, duke e akuzuar administratën amerikane se po kthen në forca sigurie milicitë terroriste.

Fuqitë kyçe të përfshira në luftën civile në Siri kanë kritikuar Shtetet e Bashkuara se ka ndihmuar milicinë aleate kurde në ngritjen e një force për sigurinë kufitare të përbërë nga 30 mijë njësi. Presidenti turk Recep Tayip Erdogan ka bërë thirrje për “t’ia marrë frymën” përpjekjeve për stërvitjen e Forcave Demokratike Siriane dhe krijimit të asaj që e ka quajtur një “ushtri terrori”. Turqia i konsideron luftëtarët kurdë, që presupozohet të aderojnë në radhët e FDS-së, terroristë. Nga ana tjetër, qeveria siriane e ka cilësuar lëvizjen e amerikanëve si një “agresion zhurmëmadh”, ndërsa Rusia ka paralajmëruar se krijimi i kësaj force mund të çojë në copëzim të territorit. Me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, FDS ka marrë në zotërim dhjetëra mijëra kilometra katrorë territor, që dikur kontrollohej nga luftëtarët e Shtetit Islamik. Në tetor, grupimi zaptoi plotësisht qytetin e Rakës, që de fakto konsiderohej kryeqyteti i kalifatit të shpallur nga lëvizja xhihadiste në vitin 2014. Që prej atëherë, eksponentët e FDS-së kanë avancuar në jug, përgjatë anës lindore të luginës së lumit Eufrat, duke pastruar zonën nga militantët e mbetur. Ditën e shtunë, një zëdhënës i koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara konfirmoi se po FDS po trajnohen për t’u kthyer në një forcë të re për garantimin e kufirit sirian./abcnews.al