Sipas presidentit rus Vladimir Putin, janë rreth pesë mijë viktimat në më pak se tre javë luftë mes azerëve dhe armenëve për Nagorno-Karabakh. Në një deklaratë për mediat ruse ai u shpreh se sipas të dhënave numri i viktimave është 2 mijë për secilën palë, dhe kjo do të thotë se në total janë pesë mijë. Azerët dhe armenët prej dekadash mbrojnë pretendimet përkatëse për Nagorno Karabakh por në fund të muajit shtator, konflikti u rindez.
Armenia dhe Azerbajxhani akuzojnë njëra tjetrën se kanë shkelur armëpushimin. Ndërsa shifrat e dhëna nga presidenti rus janë shumë më të larta në krahasim me të dhënat zyrtare që flasin për më pak se një mijë të vrarë.
Putin bëri të ditur se Rusia dialogon vazhdimisht me të dyja palët dhe që nuk do të marrë asnjë qëndrim, por gjithashtu ka thënë se nuk është dakord me Turqinë e cila mbështet Azerbajxhanin. Presidenti turk Erdogan ka premtuar se do të dërgojë ushtarë dhe mbështetje ushtarake për azerët, në momentin që do të jetë e nevojshme.
Qëndrimi i mbajtur nga Rusia shpjegohet me faktin se vendi ka një aleancë ushtarake me Armeninë ku ka dhe një bazë ushtarake, por ka lidhje të ngushta dhe me Azerbajxhanin.
Putin konfirmoi se i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të punojnë së bashku me Rusinë për t’i dhënë fund konfliktit. Pikërisht në Uashington, në 23 tetor, sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo do të takohet me ministrat e jashtëm të dy vendeve për të nisur një dialog mes palëve
Pavarësisht armëpushimit të vendosur fundjavën e kaluar, i ndërmjetësuar nga Rusia, luftimet vazhdojnë. Azerbajxhani deklaron se ka luftuar në zona të ndryshme dhe akuzon armenët se kanë hedhur tre raketa balistike në territorin azer. Dhe Armenia deklaroi se ka luftuar në zona të ndryshme. Kryeministri armen deklaroi se në këtë fazë nuk mund të ketë zgjidhje diplomatike të aplikueshme./abcnews.al

