TIRANË– “Qytetarët shqiptarë, që udhëtuan javën e kaluar për arsye pune apo turistike në Lindjen e Mesme janë shëndosh e mirë.”, kështu ka deklaruar ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.
Me anë të një shënimi në “Facebook”, kryediplomati shqiptar shton se “si pasojë e sulmit iranian kundër Izraelit, prej mbrëmjes së të shtunës, përmes koordinimit me ambasadat e Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt është bërë organizimi për kthimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fluturimet e të cilëve u anuluan për shkak të situatës së tensionuar në rajon”.
Më tej, Hasani thotë se 15 qytetarë shqiptarë priten të mbërrijnë mbrëmjen e së hënës në Tiranë dhe Prishtinë.
Sipas ministrit, ndërkohë po punohet për kthimin e dy shqiptarëve të tjerë, të cilët nuk u përgjigjen në kohë telefonatave teksa po përgatitej fluturimi i radhës.
“Prej mbrëmjes së të shtunës, përmes koordinimit të pandërprerë me ambasadat e Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, nisëm punën për të organizuar kthimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fluturimet e të cilëve u anuluan për shkak të situatës së tensionuar në rajon. 10 nxënës që studiojnë në shkollat ndërkombëtare në Izrael, 7 prej të cilëve nga Shqipëria dhe 3 nga Kosova, së bashku me 5 punonjës të Ministrisë së Turizmit dhe familjarë të tyre, kanë mbërritur në Qipro. Sot në mbrëmje të 15 qytetarët që u larguan nga Tel Aviv udhëtojnë drejt Tiranës e Prishtinës. Po punohet për kthimin në atdhe edhe të dy qytetarëve, të cilët nuk mundën dot të përgjigjeshin në telefon të dielën, ndërsa përgatitej fluturimi i radhës. Ndërkohë, 13 turistë shqiptarë janë larguar mbrëmjen e djeshme nga Jordania, e prej disa orësh janë pranë familjeve të tyre në atdhe. Mirënjohje diplomatëve të Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, të cilët ndihmuan dhe asistuan qytetarët në këto orë të vështira.”, ka saqruar ministri Hasani nëpërmjet një reagimi në Facebook./ abcnews.al
/abcnews.al/