Foshnja, Kfif Bibas është pengu më i vogël i Hamasit në rripin e Gazës. Mediat raportojnë se për fat të mirë është bashkë me nënën, e cila ka edhe djalin tjetër Arielin vetëm katër vjeç.
Tre anëtarët e familjes u rrëmbyen nga terroristët e organizatës sunite palestineze, teksa ndodheshin në shtëpinë e tyre në Kibbutz “Nir Oz”, më 7 tetor. Kfir vetëm 9 muajsh, vëllai i tij 4-vjeç si edhe fëmijë të tjerë të pafajshëm, janë sot peng të Hamasit, të cilët u rrëmbyen pas sulmit që grupi terrorist kreu në Rripin e Gazës.
Fëmijët mbahen peng në tunelet e Hamasit. Familjet e tyre janë të shqetësuare dhe i bëjnë thirrje Hamasit që të lirojë fëmijët. Edhe pse organizatat ndërkombëtare humanitare janë mobilizuar duke kërkuar nga organizata terroriste të lirojnë foshnjat dhe fëmijët, terroristët duket se nuk kanë marrë asnjë angazhim të tillë.
32 foshnje dhe fëmijë po mbahen peng, raporton The Sun. Gazeta britanike ka publikuar edhe fotografi të tyre. 50-vjeçarja Mayann thotë se vajzat e saj Dafna dhe Elahe janë po ashtu të bllokuara në tunelet nëntokësore të Hamasit në Gaza.
The Sun përcjell thirrjet e nënës e cila kërkon me dëshpërim kthimin e fëmijëve të saj. Fotoja është postuar në platformën Telegram nga Hamasi.
Ndërkohë mes tyre janë edhe pesë 17-vjeçarë. Kujtojmë se gjithsej 240 pengje u morën gjatë sulmit të befasishëm të Hamasit në Gaza më 7 tetor. Deri më tani, katër janë liruar.
/abcnews.al/