Lufta në Gaza/ Shefi i OKB-së: Të rifillojë financimi për UNRWA

schedule15:55 - 25 Mars, 2024

schedule 15:55 - 25 Mars, 2024

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres bëri thirrje të hënën për rifillimin e ndihmave financiare për agjencinë për refugjatët palestinezë, UNRWA, duke theksuar rolin thelbësor të saj në Rripin e Gazës. Shumë vende ndaluan dhënien e fondeve për UNRWA-n pas akuzave se disa punonjës të kësaj agjencie ishin përfshirë në sulmet e Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor.

Lufta e Izraelit kundër Hamasit ka detyruar largimin nga shtëpitë e tyre të 80% të popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh. Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se një e katërta e popullsisë po vuan nga uria pasi është kufizuar futja e ndihmave në Rripin e Gazës.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA, e cila punëson rreth 13,000 njerëz në Gazë, është furnizuesja kryesore me ushqime dhe ofron strehë, por është në prag të falimentimit financiar.

“Ndjej keqardhje të thellë për vendimin që u mor për ndërprerjen e financimit të UNRWA-s. Kam shpresa të mëdha që vendimi të ndryshojë, sidomos pas publikimit të raporteve të hartuara nga organizata të pavarura lidhur me hetimin dhe shqyrtimin e agjencisë për refugjatët palestinezë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, gjatë një konference shtypi në Jordani.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!