Lufta në Gaza/ OKB miraton rezolutën, por nuk kërkohet armëpushim. Si votuan SHBA dhe Rusia

schedule18:18 - 22 Dhjetor, 2023

schedule 18:18 - 22 Dhjetor, 2023

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë për Gazën që bën thirrje për më shumë ndihmë humanitare, por kjo rezolutë, nuk kërkon një armëpushim të menjëhershëm në këtë konflikt të armatosur.

SHBA dhe Rusia, dy anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit abstenuan, ndërsa 13 anëtarët e tjerë votuan pro, raporton BBC.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield u shpreh se Izraeli dhe Hamasi duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar. Ajo gjithashtu theksoi se pengjet duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte.

“Kjo rezolutë flet për ashpërsinë e kësaj krize”, theksoi Thomas-Greenfield.

Më tej, SHBA tha se “Hamasi nuk ka interes për paqen e qëndrueshme” në Gaza, ndërsa nxjerr në pah se duhet punuar që Izraeli dhe Palestina të jetojnë në paqe.

“Ne duhet të punojmë drejt një të ardhmeje ku izraelitët dhe palestinezët mund të jetojnë krah për krah në paqe, kjo është e vetmja rrugë përpara,” shton ajo.

Çfarë është një rezolutë e KS të OKB-së?

Është shprehja formale e vullnetit të 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, organi kryesor vendimmarrës në OKB. Janë pesë anëtarë të përhershëm (SHBA, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe) që kanë të drejtën e vetos. Dhjetë anëtarët e tjerë zgjidhen për një mandat dy vjeçar.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!