Disa izraelitë janë të zemëruar nga dështimet e sigurisë që i paraprinë sulmit të 7 tetorit dhe nga trajtimi i luftës nga Netanyahu. Mijëra njerëz u mblodhën në Tel-Aviv gjatë fundjavës për të kërkuar zgjedhje të reja. Megjithatë, partnerët e koalicionit të ekstremit të djathtë në krye me Netanyahun po e shtyjnë atë të përshpejtojë ofensivën, me disa që bëjnë thirrje për emigrimin “vullnetar” të qindra mijëra palestinezëve nga Gaza dhe rivendosjen e vendbanimeve hebraike atje
Numri i të vdekurve palestinezë nga lufta midis Izraelit dhe Hamasit ka shkuar në mbi 25 mijë, ka njoftuar të dielën Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, ndërsa Qeveria izraelite duket larg arritjes së qëllimeve të saj për të shtypur grupin militant dhe për të liruar më shumë se 100 pengje.
Numri i vdekjeve, shkatërrimit dhe zhvendosjes nga lufta është i paprecedentë në konfliktin izraelito-palestinez. Zyrtarët izraelitë thonë se luftimet ka të ngjarë të vazhdojnë edhe për disa muaj të tjerë.
Konflikti dhe gjendja e pengjeve të mbajtura në Gaza kanë ndarë izraelitët e zakonshëm dhe udhëheqësit e tyre, ndërkohë që ofensiva kërcënon të ndezë një luftë më të gjerë që përfshin grupet e mbështetura nga Irani në Liban, Siri, Irak dhe Jemen që mbështesin palestinezët. Në Liban, forcat e Hezbollahut janë përfshirë në përleshje pothuajse të përditshme me trupat izraelite përgjatë kufirit.
Një sulm ajror izraelit të dielën goditi një makinë pranë një postblloku të ushtrisë libaneze në qytetin jugor të Kafras, duke vrarë të paktën një person dhe duke plagosur disa të tjerë, njoftuan mediat shtetërore libaneze. Identitetet e të vrarëve dhe të plagosurve nuk janë bërë menjëherë të qarta. Ushtria izraelite ka theksuar se nuk komenton raportet në mediat e huaja.
Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë ofruar mbështetje thelbësore diplomatike dhe ushtarake për ofensivën e Izraelit, kanë pasur sukses të kufizuar në bindjen e Izraelit për të kursyer civilët dhe për të lehtësuar dërgimin e më shumë ndihmave humanitare.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë thirrjet e SHBA-së dhe ato ndërkombëtare për planet e pasluftës që do të përfshinin një rrugë drejt shtetësisë palestineze. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e quajti refuzimin për të pranuar një zgjidhje me dy shtete “krejtësisht të papranueshme”.
“Lindja e Mesme është ‘bombë e kurdisur’. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar ndezjen e konfliktit në të gjithë rajonin”, ka thënë Guterres të dielën. Dhe kjo sipas tij, fillon me një armëpushim të menjëhershëm humanitar për të lehtësuar vuajtjet në Gaza.
Rritet numri i të vdekurve në Gaza
Lufta filloi me sulmin e befasishëm të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor. Militantët palestinezë vranë rreth 1mijë e 200 njerëz, kryesisht civilë dhe morën rreth 250 pengje.
Izraeli u përgjigj me një fushatë bombardimi dhe pushtim tokësor që shkatërroi lagje të tëra në Gazën veriore dhe u përhap në jug. Operacionet tokësore janë fokusuar tani në qytetin jugor të Khan Younisit dhe kampet e ndërtuara të refugjatëve në Gazën qendrore që datojnë nga lufta e vitit 1948, kur u krijua shteti i Izraelit.
Izraeli vazhdon të kryejë sulme ajrore në të gjithë territorin e rrethuar, duke përfshirë zonat në jug, ku u tha civilëve të kërkonin strehim. Shumë palestinezë kanë injoruar urdhrat e evakuimit, duke thënë se askund nuk ndihen të sigurt.
Që nga fillimi i luftës, 25 mijë e 105 palestinezë janë vrarë në Gaza, ndërsa 62 mijë e 681 të tjerë janë plagosur, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë. Numri përfshin 178 trupat e dërguar në spitalet e Gazës që nga e shtuna, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Ashraf al-Qidra. 300 persona të tjerë u plagosën të shtunën, ka bërë të ditur ai.
Numri i përgjithshëm besohet të jetë më i lartë sepse shumë viktima mbeten nën rrënojat nga sulmet izraelite ose në zona ku mjekët nuk mund t’i arrijnë, ka thënë Al-Qidra.
Ministria e Shëndetësisë nuk bën dallime mes civilëve dhe luftëtarëve në shifrat e saj, por thotë se rreth dy të tretat e njerëzve të vrarë në Gaza ishin gra dhe të mitur. Ministria është pjesë e qeverisë së drejtuar nga Hamasi, por shifrat e saj të viktimave nga luftërat e mëparshme ishin kryesisht në përputhje me ato të agjencive të OKB-së dhe madje edhe me ushtrinë izraelite.
Ushtria izraelite thotë se ka vrarë rreth 9 mijë militantë, pa dhënë prova, dhe fajëson Hamasin për numrin e lartë të viktimave civile, sepse pozicionon luftëtarë, tunele dhe infrastrukturë tjetër militante në lagje të dendura, shpesh pranë shtëpive, shkollave ose xhamive.
Ushtria thotë se 195 ushtarë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës së Gazës.
Lufta ka zhvendosur rreth 85% të banorëve të Gazës nga shtëpitë e tyre, me qindra mijëra të grumbulluar në strehimoret dhe kampet e drejtuara nga OKB-ja në pjesën jugore të enklavës së vogël bregdetare. Zyrtarët e OKB-së thonë se një e katërta e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh po vdes nga uria, pasi ndihmat humanitare mezi arrijnë tek ata për shkak të luftimeve dhe kufizimeve izraelite.
“Buka nuk mjafton”, ka theksuar Ahmad Al-Nashaëi, i cili pranoi pak ushqime të dhuruara në qytetin jugor të Rafahut. “Ju mund ta shihni se sa fëmijë kemi përveç grave dhe burrave. Ajo që ka më shumë rëndësi për një fëmijë është të hajë”.
Izraelitët gjithnjë e më të përçarë
Netanyahu është zotuar të vazhdojë ofensivën derisa Izraeli të arrijë “fitoren e plotë” ndaj Hamasit dhe të kthejë të gjithë pengjet e mbetura. Mirëpo edhe disa zyrtarë të lartë izraelitë kanë filluar të pranojnë se këto synime mund të jenë reciprokisht ekskluzive.
Hamasi besohet se i mban robërit në tunele dhe i përdor ata si mburoja për liderët e tij të lartë. Izraeli ka arritur të shpëtojë vetëm një peng dhe Hamasi thotë se disa janë vrarë në sulmet ajrore izraelite ose gjatë operacioneve të dështuara të shpëtimit.
Një anëtar i kabinetit të luftës së Izraelit, ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, ka theksuar javën e kaluar se e vetmja mënyrë për të liruar pengjet ishte përmes një armëpushimi. Në një kritikë të nënkuptuar ndaj Netanyahut, ai tha se pretendimet për të kundërtën përbëjnë “iluzion”.
Hamasi ka thënë se nuk do të lirojë më shumë pengje derisa Izraeli të përfundojë ofensivën e tij. Grupi pritet të kushtëzojë çdo lëshim të mëtejshëm me sigurimin e lirisë për mijëra palestinezë të burgosur në Izrael, duke përfshirë militantë të profilit të lartë të përfshirë në sulmet që vranë izraelitët.
Qeveria e Izraelit e ka përjashtuar këtë për momentin, por ajo përballet me presion në rritje nga familjet e pengjeve, të cilët po bëjnë presion për një shkëmbim si ai që ndodhi gjatë një armëpushimi njëjavor të nëntorit.
Disa izraelitë janë gjithashtu të zemëruar nga dështimet e sigurisë që i paraprinë sulmit të 7 tetorit dhe nga trajtimi i luftës nga Netanyahu. Mijëra njerëz u mblodhën në Tel Aviv gjatë fundjavës për të kërkuar zgjedhje të reja.
Megjithatë, partnerët e koalicionit të ekstremit të djathtë në krye me Netanyahun po e shtyjnë atë të përshpejtojë ofensivën, me disa që bëjnë thirrje për emigrimin “vullnetar” të qindra mijëra palestinezëve nga Gaza dhe rivendosjen e vendbanimeve hebraike atje. Izraeli tërhoqi ushtarët dhe kolonët nga territori në vitin 2005, dy vjet përpara se Hamasi të merrte pushtetin nga forcat rivale palestineze.