Lufta ndaj krimit, Xhafaj marrëveshje me Markun

schedule18:24 - 2 Shkurt, 2018

schedule 18:24 - 2 Shkurt, 2018

Prokuroria e Përgjithshme nënshkroi një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme. Objekti i saj është hetimi i specializuar i krimit të organizuar përmes krijimit të disa seksioneve të posaçme të përkohshme në dhjetë prokurori.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme nënshkruan të premten një marrëveshje bashkëpunimi.
Objekt i saj ishte hetimi i specializuar i grupeve të krimit të organizuar përmes krijimit të seksioneve të posaçme të përkohshme në Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe në nëntë prokurori të rretheve gjyqësore, përfshi Tiranën dhe Durrësin.

Në marrëveshje thuhet se këto seksione do të kenë në kompetencë edhe hetimin e vepra penale të nenit 135/2 të Kushtetutës së Shqipërisë, ku flitet për vepra penale të korrupsionit e krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, kreut të kuvendit, ministrave, deputetëve dhe zyrtarëve të lartë.

Kjo dispozitë kushtetuese përcakton njëkohësisht edhe kompetencën e veprave që do të hetohen nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Kjo strukturë nuk është krijuar ende për shkak të mosngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë të diktuara nga ndryshimet kushtetueses.

Sipas marrëveshjes, mes Xhafajt dhe Markut, prokurorët që do të caktohen në seksionet e Posaçme do të kalojnë në disa filtra të verifikimit të pasurisë dhe integritetit në trajtën e një Vetingu, por që do të realizohet nga Prokuroria e Përgjitjshme.

Detyrimet e Ministrisë së Brendshme në këtë marrëveshje janë sigurimi i logjistikës, mjeteve dhe jetës së prokurorëve të këtyre seksioneve apo familjarëve të tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!