Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka rrezik të përhapet

schedule08:12 - 9 Tetor, 2023

schedule 08:12 - 9 Tetor, 2023

Një luftë e re në tetor. Mbi 1.000 njerëz të vrarë në dy ditë, të plagosur, pengje e shkatërrime gjithandej.

“Sulmi më i keq kundër Izraelit që nga Lufta Yom Kipur”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke iu referuar luftës arabo-izraelite të vitit 1973, e njohur po ashtu si Lufta e Tetorit.

E gjitha filloi më 7 tetor, kur militantët palestinezë të Hamasit sulmuan papritur Izraelin nga Rripi i Gazës.

Mijëra raketa u hodhën në lagje të banueshme, luftëtarët hynë brenda komuniteteve, vranë banorë dhe morën pengje.

Në përgjigje, ushtria e Izraelit nisi sulmet nga ajri në Rripin e Gazës, ndërsa Qeveria e vendit shpalli zyrtarisht luftë kundër Hamasit.

“Izraeli do t’i hakmerret fuqishëm Hamasit. Kjo luftë do të marrë kohë. Do të jetë e vështirë”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të dielën e 8 tetorit.

Arsyet e sakta të sulmit të Hamasit nuk janë të qarta, por dhuna mes dy palëve ka qenë në rritje prej muajsh.

Komandanti i Hamasit, Mohammed Deif, u bëri thirrje palestinezëve dhe arabëve të tjerë që t’i bashkohen operacionit të grupit kundër Izraelit.

Por, është e paqartë nëse palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor apo gjetkë në rajon, do ta dëgjojnë thirrjen e tij.

Askush “nuk dëshiron të shohë ndonjë përshkallëzim rajonal”, tha kryeministri britanik, Rishi Sunak.

Ai tha se Hamasi dhe mbështetësit e tij janë “plotësisht përgjegjës për aktin e tmerrshëm të terrorit” në Izrael, për “vrasjen e civilëve dhe rrëmbimin e njerëzve të pafajshëm”.

Kush mund të përfshihet?

Një skenar i keq do të ishte përfshirja e grupit të fuqishëm militant libanez, Hezbollah.

I parë si kërcënim i madh nga Izraeli, grupi mbështetet prej vitesh nga Irani dhe ka lidhje të ngushta me Hamasin.

Të dielën në mëngjes, Hezbollahu lëshoi një numër raketash dhe predhash në veri të Izraelit, por pa shkaktuar viktima.

“Nëse Izraeli dërgon trupa tokësore në Gazë ose bën diçka tjetër drastike, atëherë Hezbollahu mund të hapë një front në Liban dhe ta mbrojë vendimin e tij duke thënë se nuk ka zgjidhje, duhet ta mbrojë Palestinën”, tha për France24 Hussein Ibish, nga Instituti i Shteteve Arabe të Gjirit.

“Do të mund ta shohim Izraelin në një luftë me shumë fronte, me grupe të ndryshme të rezistencës – shumica e tyre nën kontrollin e Iranit”, tha ai.

Sulmi i papritur palestinez ngjall frikë për “një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme”, shkroi Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë.

“Irani është, sigurisht, mbrojtës i Hezbollahut [si dhe i grupeve të tjera militante palestineze]. Ekziston një rrezik gjithnjë e më i madh për një konflikt me dy fronte, i cili do të shkatërronte pjesë të Izraelit dhe një pjesë të madhe të Libanit, ku është i bazuar Hezbollahu. Ekziston rreziku i përshkallëzimit”, vlerësoi instituti me seli në Nju Jork.

Irani, armik i betuar i Izraelit, ishte ndër vendet e para që mirëpriti ofensivën e Hamasit kundër Izraelit.

Izraeli, prej vitesh, e akuzon atë për furnizimin e grupeve militante me armë dhe me inteligjencë.

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, tha se vendi i tij e mbështet mbrojtjen legjitime të kombit palestinez, duke shtuar se Izraeli dhe mbështetësit e tij “janë përgjegjës për paqëndrueshmërinë në rajon” dhe se ata “duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë çështje”. Ai u bëri thirrje qeverive myslimane që “ta mbështesin kombin palestinez”.

Sipas një analize të Këshillit Atlantik, nëse Hezbollahu përfshihet në konflikt, “Izraeli do të përballet me një luftë mbarëkombëtare që nuk e ka përjetuar tash e sa dekada”.

“Ditët dhe javët e ardhshme ka të ngjarë që të përcaktojnë jo vetëm të ardhmen e sigurisë së Izraelit, por ato mund të përcaktojnë edhe të ardhmen e pozitës së tij në rajon”, thuhet në këtë analizë.

Hezbollahu, sipas gazetës Financial Times, ka një arsenal raketash shumë më të madh dhe më të sofistikuar se Hamasi, i cili tenton të mbështetet në raketat e bëra vetë.

“Përfshirja e tij në konflikt do të kërcënonte ta mposhtte sistemin mbrojtës të Kupolës së Hekurt të Izraelit”.

“Hezbollahu ia përgjaku hundën Izraelit gjatë konfliktit njëmujor në vitin 2006 dhe ai fitoi përvojë në fushëbetejë, pasi ndërhyri në luftën civile të Sirisë për ta mbështetur presidentin Bashar al-Assad”, shkroi Financial Times.

Sky News kujtoi se marrëveshja e paqes midis Arabisë Saudite dhe Izraelit dukej se ishte afër, por “ajo që do të ndodhë gjatë ditëve në vijim, mund ta vërë atë në dyshim”. “Ndoshta ky është qëllimi i Hamasit”, shkroi mediumi britanik.

Sipas tij, ky nuk është rund i zakonshëm i dhunës – “është shumë më serioze se kaq” dhe “inkursioni tokësor nuk përjashtohet”.

“Përgjigjja e Izraelit ndaj sulmeve ka të ngjarë të jetë e një shkalle të tillë që do t’i frenojë përpjekjet e SHBA-së për normalizimin saudito-izraelit, nëse jo t’i silurojë ato krejtësisht”, shkroi në platformën X Amberin Zaman, analiste në Al-Monitor, një ueb-faqe që mbulon Lindjen e Mesme, me bazë në Uashington.

Ushtria izraelite urdhëroi një përforcim masiv të trupave, ndërsa tubime për të shprehur mbështetje për Hamasin, u mbajtën në të gjithë Lindjen e Mesme.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë anije dhe avionë ushtarakë më pranë Izraelit në Mesdheun Lindor, në një demonstrim mbështetjeje për të, pas sulmit të Hamasit.

Ai tha se SHBA-ja do të ofrojë edhe municione për Izraelin, ndërsa do t’i shtojë avionët luftarakë në rajon.

Cila është historia e konfliktit të Izraelit me Hamasin?

Izraeli ka një histori të gjatë armiqësie me Hamasin.

Ai luftoi me të në Gazë katër herë dhe kreu shumë operacione të tjera, duke shkaktuar qindra viktima palestineze.

Militantët e Hamasit lëshuan mijëra raketa kundër Izraelit, duke vrarë qindra izraelitë.

Izraeli e akuzon Hamasin për rrëmbimin e qytetarëve izraelitë dhe organizimin e protestave që kërcënojnë kufijtë e tij.

Hamasi dhe mbështetësit e tij, në anën tjetër, e akuzojnë Izraelin për shtypjen e palestinezëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre.

Ai udhëheq Rripin e Gazës që nga viti 2007.

Hamasi në tërësi – ose në disa raste krahu i tij ushtarak – cilësohet si grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, si dhe nga fuqi të tjera./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!