Lufta me policinë në Fier/Arrest me burg për grabitësin e plagosur

schedule09:53 - 26 Mars, 2018

schedule 09:53 - 26 Mars, 2018

Gjykata caktoi masën e sigurisë për grabitësin e plagosur gjatë përplasjes me armë zjarri me policinë në Fier. Masa e sigurisë për Arben Muçën, banor i Ndroqit të Tiranës, dhe me origjinë nga Puka, u dha në spital, atu ku po merr ndihmën mjekësore.  33 vjeçari është njëri nga katër grabitësit që sulmuan për ta grabitur një familje në Fier.

Nga kjo dhomë spitali ku qëndroi tri ditë Arben Muço do të shkojë drejt e në burg. Por përpara kësaj ekspozon edhe njëherë tipin që është prapa hekurave. Kërkon nëpërmjet sharjeve  të largohen kamerat.

Nuk ka avokat ndaj gjykata i ka caktuar mbrojtje kryesisht. As familjarët nuk janë parë në spital ku 33 vjeçari po qëndron prej 3 ditësh.

Në kushtet shëndetësore ku gjendet Muço nuk është paraqitur në seancë, por është kontaktuar nga avokati mbrojtës, i cili më pas e përfaqesoi në seancën për masën e sigurisë.

Gjyjata vendosi brenda pak minutash masën e sigurisë arrest me burg pa afat, ashtu sikurse kërkoi Prokuroria.

Nëpërmjet avokatit Muço i ka thënë gjykatës se nuk i kujtohet asgjë nga mëngjesi i së premtes kur bashkë me 3 shokët e tij tentuan të hyjnë në banesën e Minella Muços.

“Nuk mbaj mend asgjë, jam i tronditur“- i ka thënë 33 vjeçari avokatit mbrojtës.

Mendohet që Muço kërkon të përfitojë nga gjendja shëndetësore për të mos bashkëpunuar me drejtësinë, e cila po kërkon 2 autorët e tjerë të tentativës së grabitjes.

Mëngjesin e së premtes Xhuljano Sollaku 20 vjeç mbeti i vrarë nga plumbat e policisë, ndërsa Arben Muço u plagos.

Bashkë me 2 persona të tjerë ata tentuan të hyjnë me forcë në banesën e Minella Muços në Fier më qëllimin për të grabitur një sasi parash, origjina e të cilave mbetet e paqartë.

Pronari njoftoi policinë në kohën që grabitësit tentonin të hapnin derën me forcë.

Kjo e fundit mbërriti në vendngjarje dhe ndeshet me të shtënat e armëve të grabitësve.

Muço plagoset dhe shoku i tij 20 vjeçar vdes në vend.

Dy të tjerët u larguan me një automjet në drejtim të unazës së qytetit. Policia mendon se ky është grupi që ka kryer një sërë grabitjesh ditët e fundit në qytete të ndryshme të vendit.

Gazetare: Valbona Daci

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!