Lufta kundër pastrimit të parave, NAREA: Pronat mbi 150 mijë euro shiten vetëm nga ndërmjetësuesit e licencuar

schedule07:29 - 22 Nëntor, 2021

schedule 07:29 - 22 Nëntor, 2021

Shoqata e Ndërmjetësuesve kërkon që në draftin “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”, i cili është duke u konsultuar me Ministrinë e Drejtësisë, të merren në konsideratë edhe sugjerimet e tyre në luftën kundër pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit.

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) thotë se, bazuar nga të dhënat agjencive imobiliare, ekziston mundësia e pastrimit të parave për prona me vlerë mbi 150,000 euro. Kërkesa e NAREA është që në draftin e ri për profesionin e ndërmjetësit për një periudhe tranzitore 5-vjeçare, transaksionet për shitjen e pronave me vlerë mbi 150,000 euro të kryhen nëpërmjet zyrave të licencuara të ndërmjetësimit.

Sipas Shoqatës të Ndërmjetësuesve, bazuar edhe te raportimit e institucioneve ndërkombëtare, aktualisht vetëm 8% e volumit të transaksioneve me pasuritë e paluajtshme kryhet nga zyrat e ndërmjetësimit. “Duke u bazuar në eksperiencën dhe indiciet e marra nëpërmjet aktorëve në treg që NAREA përfaqëson, mundësitë që pastrimi i parave të konsumohet, rritet në mënyrë eksponenciale sa më tepër rritet vlera e pasurisë në fjalë, si për shembull në ato prona me vlera të konsiderueshme mbi 150,000 euro.

Sugjerojmë që për një periudhe tranzitore 5-vjeçare, të gjitha transaksionet mbi 150,000 euro, të cilat nuk afektojnë shtresën e mesme, të kryhen detyrimisht nëpërmjet ndërmjetësve të licencuar/certifikuar të zyrave të ndërmjetësimit. Në këtë mënyrë garantojmë luftën ndaj një fenomeni të tillë, shumë të dëmshëm dhe të tej zgjatur në këto 30 vite tranzicion”, thuhet në rekomandimet e NAREA për draftin e ri.

Sipas shoqatës, ky propozim i tyre nuk është pranuar nga Ministria e Drejtësisë, pasi çekuilibrohen rregullat e konkurrencës të tregut dhe profesioni i ndërmjetësuesit ende nuk rezulton i rregulluar dhe i licencuar, siç është profesioni i avokatit dhe noterit. Shoqata propozon se nëse do të shtrohet rruga e duhur ligjore për 3 deri 5 vitet e ardhshme zyrat e ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme, mund të funksionojnë po aq të sigurta, siç janë dhomat e avokatëve dhe noterëve.

Shoqata e Ndërmjetësuesve kërkon që në draft të merren në konsideratë edhe sugjerimet e tyre në luftën kundër subjekteve të palicencuara. NAREA sugjeron të përcaktohen më mirë mjetet dhe metodat e ndjekura. Konkretisht rekomandohet që në ligj të përcaktohet qartë mënyra e listimit të pronave në portalet online, ku nëpërmjet të cilave sot kryhet dhe volumi më i madh i transaksioneve të ndërmjetësimit.

“Të kërkohet qartësisht Identifikimi i saktë i pronarit shitës dhe i dokumenteve të pronësisë, kur kjo pronë trajtohet nga vet pronari; dhe i ndërmjetësit, nëpërmjet NUIS dhe numër licence/certifikate, kur prona në fjalë trajtohet jo nga pronari”. Sugjerimet e NAREA në përmirësim të profesionit të ndërmjetësit të pasurive përfshijnë edhe në nenet kodin e etikës, certifikimin e ndërmjetësve, masa e penaliteteve në rast shkeljesh etj.

Nga konsultimet e nisura në shtator të 2020 deri tani në draft nga Ministria e Drejtësisë janë përfshirë disa nga sugjerimet e propozuara nga Shoqata e Ndërmjetësuesve. NAREA kërkon që ky profesion të jetë plotësisht i rregulluar sipas ligjit të ri dhe të ndikojë në luftën kundër pastrimit të parave, duke konsideruar edhe sugjerimet e tjera të bëra prej tyre.

Sugjerimet e NAREA për përmirësimin e projektligjit

Neni 5 -Ushtrimi i profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, pikat 3 dhe 4

Personat Fizik ose Juridik që kryejnë shërbimin e Ndërmjetësimit të Pasurive te Paluajtshme Online, ose reklamimin e çfarëdo lloj me qëllimin e realizimit të këtij aktiviteti, janë subjekt i këtij ligji dhe duhet të jenë të licensuar, duke ju nënshtruar përgjegjësive që rrjedhin nga ky ligj; -Ndërmjetësi i pasurive të paluajtshme, gjatë ushtrimit të profesionit të tij dhe veçanërisht gjatë komunikimeve në largësi duhet të jetë i identifikueshëm, si ndërmjetës i pasurive të paluajtshme dhe lehtësisht i dallueshëm.

Neni 6 Kodi i Etikës Profesionale

Kodi i Etikës Profesionale përcakton standardet për respektimin dhe zbatimin e rregullave të etikës profesionale të ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme, të drejtat dhe detyrat në marrëdhënie me klientët, ndërmjetësit e tjerë dhe institucionet shtetërore; Kodi përcakton rregulla të hollësishme mbi të drejtat dhe përgjegjësitë profesionale të detyrueshme për zbatim në ushtrimin e veprimtarisë ndërmjetësuese; Kodi miratohet me urdhër të ministrit, pas konsultimit me grupet e interesit.

Neni 8 Kriteret për certifikimin si ndërmjetës i pasurive të paluajtshme, pika c

Të mos jetë në gjykim për veprat penale në fushën e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit apo armëve të shkatërrimit në masë dhe mashtrimit.

Neni 10- Organizimi i ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme

Ndërmjetësi i pasurive të paluajtshme ushtron veprimtarinë në mënyrë individuale ose i organizuar në zyra të ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme ose si i punësuar pranë një zyre ndërmjetësimi të pasurive të paluajtshme.

Neni 18 Të drejtat e ndërmjetësit, pika ç

-Ndërmjetësi ka të drejtë që pa pagesë të aksesojë në kohë reale regjistrin e pasurive të paluajtshme, të shqyrtojë të dhënat online, që kanë lidhje me pasuritë e paluajtshme objekt ndërmjetësimi nga organi shtetëror që administron regjistrin e pasurive të paluajtshme, ASHK me qëllim përfitimin e informacionit të saktë dhe të plotë në lidhje me gjendjen juridike dhe kufizimet e vendosura mbi pasurinë e paluajtshme, pasi të ketë përmbushur detyrimet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Trajnimi për përdorimin e sistemit online të organit shtetëror që administron regjistrin e pasurive të paluajtshme dhe aksesi në të do të kryhet nga vetë regjistri (ASHK) në momentin e licensimit dhe secilit ndërmjetësi do ti përcaktohen të dhëna unike identifikimi.

Neni 22 Shkeljet dhe masat disiplinore , pika C dhe D

Gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë në proporcion me shkeljen dhe bazohet në përshkallëzimin e mëposhtëm:

i. Për mospërmbushje të përgjegjësive sipas Nenit 19, pika b, gjoba është në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;

ii. Për mospërmbushje të përgjegjësive sipas Nenit 19, pika c, gjoba është në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;

iii. Për mospërmbushje të përgjegjësive sipas Nenit 19, pika ç, gjoba është në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;

iv. Për mospërmbushje të përgjegjësive sipas Nenit 19, pika d, gjoba është në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;

v. Për mospërmbushje të përgjegjësive sipas Nenit 19, pika dh, gjoba është në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë;

vi. Për mospërmbushje të përgjegjësive sipas Nenit 19, pika e, gjoba është në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë;

vii. Për mos përmbushje të përgjegjësive sipas Nenit 19, pika f, gjoba është në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë; -Pezullim nga detyra për një periudhë nga një deri në një vit.

Neni 23 (të hiqet)

Ministri mbyll hetimin, nëse provohet se pretendimet janë të pabazuara ose provat e mbledhura dhe rezultatet e hetimit të çojnë drejt përfundimit se:

a) provat janë të pamjaftueshme për të provuar kryerjen e shkeljes disiplinore;

b) çështja ka qenë objekt i një hetimi të mëparshëm që është mbyllur ose për të cilën është dhënë vendim i formës së prerë, në kuadër të një procedimi disiplinor, përveç rasteve kur paraqiten fakte ose prova të reja;

c) çështja është parashkruar në kohën kur është filluar hetimi, për shkak të kalimit të afateve;

ç) ndërmjetësi i pasurive të paluajtshme ka ndërruar jetë.

Neni 29 Komisioni Disiplinor

Komisioni Disiplinor është organ kolegjial, i cili përbëhet nga: a)dy përfaqësues nga ministria; c)një përfaqësues nga ministria që mbulon çështjet e financave; c)dy përfaqësues nga shoqatat profesionale të ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme.

Neni 37-Penalitetet

Cilido që kryen veprime juridike me pasuritë e paluajtshme, në kuptim të këtij ligji, pa qenë i pajisur me certifikatën përkatëse ose nuk vepron në përputhje me parashikimet e nenit 39, të këtij ligji, ndëshkohet me masë administrative me gjobë 500 000 (pesëqind mijë) lekë, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative./ Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!