Në tre muajt që nga fillimi i konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit, të paktën 79 gazetarë janë vrarë në Gaza, Izrael dhe Liban, tha të hënën Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).
Viktimat përfshijnë 72 palestinezë, katër izraelitë dhe tre libanezë, sipas të dhënave të CPJ.
Deklarata e CPJ rendit emrat e të gjithë gazetarëve të vrarë që nga 7 tetori, duke thënë se raportimi ishte “bazuar në informacionin e marrë nga burimet e CPJ në rajon dhe raportet e mediave”.
“Gazetarët në Gaza po përballen me rreziqe veçanërisht të larta ndërsa përpiqen të mbulojnë konfliktin gjatë sulmit tokësor izraelit, duke përfshirë sulmet shkatërruese ajrore izraelite, ndërprerjen e komunikimeve, mungesat e furnizimit dhe ndërprerjet e gjera të energjisë”, tha CPJ në deklaratë.
“CPJ thekson se gazetarët janë civilë që bëjnë punë të rëndësishme gjatë kohëve të krizës dhe nuk duhet të jenë në shënjestër të palëve ndërluftuese,” tha Sherif Mansour, koordinator i programit të CPJ për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
/abcnews.al